QARTËSOHEN GJËRAT: Qeveria Kurti nuk e anuloi 53 milionëshin për Bechtel Enka-n

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj reagoi në lidhje me anulimin e projektit i cili i ishte dhënë kompanisë Bechtel Enka.

Haradinaj thekson se sot u manipulua me shifra pasi siç thotë ai në vendimin e Qeverisë në asnjë moment nuk ceket shuma.

Ai tutje shkruan se Qeveria nuk anuloi projektin 50 milionësh por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyqjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me Autostradēn Arbën Xhaferi.

Çfarë shkroi sot ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit:

50 milionë.

Në maj të vitit të shkuar, Qeveria e kaluar, kishte marrë vendim – të paprecedentë – t’i zgjasë afat dhe t’i shtojë punë në mënyrë arbitrare konsorciumit Bechtel Enka. Pa tender, pa konkurrencë, pa ofertë – thjeshtë me një vendim. Konsorciumi ndërsa, i kishte kërkuar Kosovës plot 49.6 milionë euro shtesë për tri punë shtesë.

Koha kur Kosova jep miliona pa bazë – 49.6 milionë euro më saktësisht – është e shkuar. Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka ngritur këtë çështje urgjente në Qeveri. Qeveria ndërsa, sot, me të gjitha votat për e asnjë kundër, anuloj vendimin për këtë angazhim. Nga koha e vendimit të shkuar e deri më sot mund të jenë shkaktuar dëme financiare të cilat do t’i trajtojmë si shtet me ligj e dinjitet.

Bechtel-Enken, ndërsa, e falenderojmë për punët e bëra deri më tani. Rrugëtimi ynë me dy autostradat e deritanishme përfundon sot. Për çdo angazhim tjetër në të ardhmen janë të mirëseardhur të konkurojnë – barabartë me secilën palë tjetër.

Postimi i Haradinajt:

Mashtrimi i radhës i Qeverisë Kurti

Sot, duke manipuluar me shifra dhe duke trumbetuar për anulimin e kinse 50 milionëve për Bechtel Enka-n, Qeveria Kurti u mundua që të mashtrojë qytetarët se shpëtoi buxhetin.

Për hir të korrektësisë dhe me misionin që të tregohet e vërteta, sot Qeveria e Mashtrimit anuloi një vendim-autorizim për Ministrinë e linjës që të negociojë për kyçjet në Ferizaj dhe Viti. Në vendimin e Qeverisë që unë kam drejtuar nuk ceket shuma.

Qytetarë të nderuar,

Qeveria e Mashtrimit nuk anuloi 50 milionë por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyçjen e Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paldenicës me Autostradën “Arbën Xhaferi.” Qeveria e Mashtrimit u mundua të na hedhë hi syve duke përdorur shifra për të anuluar një autorizim.

RH