Qalaj: Vazhdimi pa afat i konkursit për policë në veri, i paligjshëm

Konkursi për policë të ri në komunat veriore të Kosovës nuk po di të përfundojë.

Ndonëse në fillim organet e rendit u mjaftuan vetëm me postimin e konkursit, në kohën shtesë të tij u realizuan edhe video-thirrje me përfaqësues të sundimit të ligjit në Kosovë, por edhe të vetë zyrtarëve policorë, raporton Klan Kosova.

Kësaj nisme iu bashkua edhe kryeministri Albin Kurtit, që në gjuhën serbe u bëri thirrje pakicave të aplikojnë për gjeneratën e re të policisë.

Megjithatë, as videoja e Kurtit nuk kreu punë pasi sa policë u kërkuan nuk aplikuan.

Andaj, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, deklaroi se ky konkurs nuk do të mbyllet as të premten e 10 janarit, siç ishte planifikuar, por do zgjasë deri të plotësohet numri.

Mirëpo, sipas ish-drejtorit të policisë, Rashit Qalaj, zgjatja e konkursit pa afat nuk është e ligjshme.

E mosdeklarimi i institucioneve për numrin e pretendentëve për policë, Qalaj thotë se po bëhet për t’i mbrojtur aplikuesit nga presionet e Serbisë.

Megjithatë, sipas udhëheqësit të dikurshëm të Policisë, ata që aplikuan nuk janë të veriut të vendit.

Me shumë se 500 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan kolektivisht nga ky institucion më 5 nëntor 2022,  derisa së fundmi Qeveria serbe i quajti dorëheqjet si të përkohshme.