Zyrtari policor Afrim Karaxha nuk është suspenduar për publikimin informacioneve për djalin e shefit të AKI-së, por për shkak të qasjes pa leje në sistemin e të dhënave.

Këto deklarime drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i bëri gjatë raportimit sot në Komisionin për Punë të Brendshme, ku bashkë më të ka raportuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. I pyetur nga deputetët për arsyen e suspendimit të zyrtarit policor, në përgjigjen e tij Qalaj ka thënë se sistemi i të dhënave konsiderohet informacion i klasifikuar. I pari i Policisë së Kosovës, gjatë raportimit të tij ka thënë se fokus kryesor për vitin 2019 e kanë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai ka folur edhe për nevojën për shtimin e numrit të policëve në Njësitë Speciale, ku një gjë të tillë e ka paralajmëruar se do ta bëjnë vitin e ardhshëm. Qalaj tha se ky është një proces që kërkon edhe investime në pajisje, vetura, mirëpo sipas tij kjo është e domosdoshme.

Ndërkohë që Kosova dështoi të anëtarësohet në Interpol këtë vit, Qalaj u shpreh se ende nuk kanë vendosur nëse do të aplikojnë vitin e ardhshëm për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë, ndërkohë që ka dhënë edhe arsyet për këtë mëdyshje. Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ka potencuar se objektiv kryesor i punës së tij është parandalimi dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ministri Mustafa ka folur edhe për domosdoshmërinë e miratimit të ligjit për pensionim të parakohshëm. Këtë ai e ka arsyetuar se shumë zyrtarë policorë që janë të sëmurë nuk arrijnë të kryejnë siç duhet detyrat e tyre.

Sa i përket dështimit për anëtarësim të Kosovës në Interpol, ministri Mustafa tha se kjo ka ndodhur për shkak të politizimit të kësaj organizate.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme të ofrojë mbështetje për Policinë e Kosovës, që sipas tij të zgjidhen disa gjëra që kanë ndodhur në të kaluarën, ku ai ka përmendur çështjen e dhomës së dëshmive.

Madje, Selimi ka kërkuar që këto tema të zgjidhen dhe të mos jenë barrë mbi Policinë e Kosovës. Ai ka pasur kritika edhe sa i përket Policisë së Kosovës, ku ka thënë se janë disa raste të dhunës në familje ku nuk ka pasur mbrojtje të mjaftueshme./kp