Qalaj përfundon dëshminë në Hagë, gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt do të vazhdojë më 21 janar

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë. Para trupit gjykues, Qalaj ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të hetojë rastin me dosjet që u dërguan, nga persona ende të panjohur, në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Udhëzimin nga Prokuroria Speciale, Qalaj ka thënë se e kanë marrë më 8 shtator të vitit 2020, një ditë pasi paketa e parë kishe arritur në OVL-UÇK.

“Ne e dimë që jemi një polici mjaft profesionale dhe kemi bërë 20 vite përvojë, është shumë e lehtë të dihet që çdo gjë që lidhet me hetimin e krimeve të luftës e që bie në domenin e Gjykatës Speciale e që është këtu në Hagë, e dimë që është në domenin e tyre dhe ne nuk kemi qenë fare të njoftuar, as sot nuk e di përmbajtjen e atyre dokumenteve çka kanë përveç asaj që kam dëgjuar në media ose prej asaj që e kam përcjellë gjykimin e zotit Haradinaj dhe zotit Gucati. Mirëpo ne si Polici e Kosovës kemi qenë shumë të kujdesshëm që të mos përzihemi në kompetenca të institucioneve të tjera, edhe pse gjithmonë kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga shefi i misionit të EULEX-it që të jemi pjesë e procesit pavarësisht se çka kërkohet nga Dhomat e Specializuara, gjithmonë duke e ditur që Policia e Kosovës është e aftë dhe ka kapacitete për të kryer të gjitha detyrat që asaj i ngarkohen”, ka thënë Qalaj.

Dëshmia e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës ka përfunduar ndërsa gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të vazhdojë më 21 janar në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.