Qalaj për Ballkani.info flet për reformat në polici, blerjen e armatimit, sfidat, plaçkitjet…

Policia e Kosovës, përkundër shumë sfidave ka ngritur në nivel të lartë konsideratën për të, duke u bërë institucion me të cilën krenohemi të gjithë.

Luftimi i ekstremizmit, parandalimi i akteve terroriste, zbulimi i rrjeteve kriminale, si trafikimi i njerëzve dhe luftimi i dukurive negative, ka bërë që Policia e Kosovës të vlerësohet lart edhe nga Departamenti i Shtetit në Uashington.

Në një intervistë me Ballkani.info Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka folur për reformat që ka sjellur nga momenti që është vë në krye të institucionit të sigurisë, të një institucioni që përballet me rrezikun 24 orë, të një institucioni që është i thirrur të mbrojë pronën dhe dhe jetën e qytetarëve, pra të një institucioni siç është Policia e Kosovës.

Qalaj, tregon për përkushtimin e tij në arritjen e sigurimit shëndetësor të Policisë së Kosovës, ku sipas tij është elementare dhe më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Tutje, Qalaj, flet edhe për kushtet dhe sfidat e Policisë Kufitare, ku sipas tij, Policia Kufitare, është segment mjaft i rëndësishëm në Policinë e Kosovës, e cila i mbulon dhe menaxhon kufirin e Kosovës, një pjesë së bashku me KFOR-in dhe pjesën tjetër si e vetme.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: Me të marrë detyrën, ju keni ndërmarrë një varg reformash brenda organizatës tuaj, a mund të na tregoni cilat janë ndryshimet që ju i keni bërë dhe duhet t’i bëni në të mirë të organizatës?

Rashit Qalaj:
Po, secili drejtues i ri i një organizate duhet të ketë aktivitete të reja në atë organizatë, në mënyrë që të shtyjë organizatën përpara në përmbushjen e mandatit, në përmbushjen obligimeve dhe normalisht që kërkesat për përmbushjen e mandatit respektivisht obligimeve kërkojnë edhe angazhim shtesë të të gjithë stafit jo vetëm të drejtuesit apo drejtorit. Ne që në fillim, së bashku me stafin menaxhues të Policisë së Kosovës kemi vendosur që krijojmë një frymë të re nga aspekti i aktiviteteve policore, fillimisht duke ngritur diciplinën në kuadër të organizatës e pastaj duke i krijuar disa struktura standarde të cilat ne mendojmë do të ngrisin performancën e secilit prej nesh dhe do të ketë një performancë më të mirë të organizatës që unë e drejtoj.

E dini që fillimisht kemi pasur një proces të promovimit menjëherë pas emërimit tim në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe një nga kriteret që kemi vendosur në atë kohë është që secili person që promovohet pozita e tij, do të jetë karshi nevojave të Policisë së Kosovës e jo karshi nevojave të individit. Në këtë kontekst fillimisht kemi bërë që pozicionimin e kolegëve që janë graduar në pozitat e reja në kuadër të njësive të ndryshme të Policisë së Kosovës, dhe po ashtu kemi bërë disa ndryshime në disa njësi që ne i kemi konsideruar lëvizje të nevojshme për një performancë më të mirë.

Ndryshimet janë duke vazhduar edhe ditën e sotme, ne aktualisht jemi duke u marrë me reformimin e strukturës policore, do të bëjmë disa ndryshime në kuadër të strukturës organizative që besoj se do të përfundojë shumë shpejtë. Në këtë kuadër kemi bërë shumë, sidomos në pjesën e Drejtorisë së Përgjithshme, disa ndryshime mjaft të rëndësishme që ne konsiderojmë që do të kenë efekt në punën policore. Kemi forcuar mjaft shumë njësinë për hetimin e brendshëm apo siç ne e quajmë drejtorinë për hetime të brendshme ose Standardeve Profesionale, dhe në kuadër të kësaj drejtorie kemi vendosur që përveç hetimeve të brendshme kjo drejtori të merret edhe me konfliktin e interesit. Kjo drejtori do të merret edhe me integritetin policor. Pra, në kuadër të kësaj drejtorie, do të krijohen njësi të reja që do t’i mbulojnë këto fusha, që i ceka më herët.

Po ashtu, kemi bërë një ngritje dhe një riorganizim të njësive tona speciale dhe tani numri i operatorëve në Njësinë Speciale Operative do të jetë përafërsisht dyfish më i madh. Ky numër na mundëson që të kemi zhvillim të operacioneve më mirë të organizuara dhe stafi të përdorët më racionalisht, gjithmonë duke pasur në konsideratë edhe çështjen e përgatitjes fizike të operatorëve të njësive speciale, trajtimit të tyre, pushimit të tyre, angazhimit të tyre në mënyrë që edhe të kryhen punët po në të njëjtën kohë edhe të kujdesen për aspektin fizik të kolegëve tanë dhe shëndetin e tyre.

Po ashtu, në kuadër të këtij reformimi të strukturës organizative siç kemi thënë dhe kemi premtuar edhe në fillim, në kuadër të drejtorive rajonale do të jenë edhe njësitë për hetimin e krimeve kibernetike, meqenëse aktualisht i kemi vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë dhe këto njësi në kuadër të drejtorive rajonale do të jenë njësi mjaft të vogla të cilët fillimisht policët që punojnë në këto njësi do të trajnohen, do të zhvillohen dhe të përgatiten që të merren me krimet kibernetike dhe kryesisht këto trajnime do t’i zhvillojmë me partnerët tanë strategjik, në mënyrë që teknikisht edhe të pajisen me pajisje por edhe me njohuri teknologjike në mënyrë që të kryhen hetimet.

Poashtu, në kuadër të drejtorive rajonale do të kemi edhe njësinë e inspektimit pra në nivelin qëndror ato do të jenë në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme, në kuadër të drejtorisë për hetime të Standardeve Profesionale, mirëpo në vijë vertikale do të jenë edhe nëpër drejtori rajonale në mënyrë që të shtrihet kontrolli më i lehtë dhe inspektimi më i lehtë i zyrtarëve tanë policor. Pra, janë duke u bërë disa reforma mjaft të rëndësishme në kuadër të strukturës organizative të Policisë së Kosovës që ne konsiderojmë që do të kenë efekt në punë dhe pasqyrimin sa më të mirë të Policisë së Kosovës, poashtu është shtuar numri i personelit në zyrën që e kemi në media dhe tani përveç një majori që e kemi aty, e kemi edhe një majore që është vendosur para disa dite në pozitë dhe besoj që kemi kompletuar stafin në mënyrë që kjo zyre të funksionojë nga ora tetë (8) në mëngjes deri në ora njëzet e katër (24) në mesnatë. Konsideroj që shumë shpejt do të kemi një trajnim shumë të rëndësishëm për zyrën për media, trajnim të cilin është duke na e siguruar partneri strategjik, ku do të sjellin trajnerë nga Son Antonio, në mënyrë që Zyra për Media të jetë shumë më e përgatitur dhe të ketë një çasje pak më ndryshe në raport me mediat.

Ballkani.info: Dihet që Policia e Kosovës çdo ditë përballet me sfida të ndryshme gjatë punës së saj në terren, ndërkohë akoma nuk ka sigurim shëndetësor për Policinë e Kosovës.

Ju si drejtor i përgjithshëm çka do të ndërmerrni në këtë drejtim?

Rashit Qalaj: Në fakt, natyra e punës policore është e tillë që përballet me rreziqe të ndryshme, me sfida të ndryshme meqenëse policët tanë, policet tona janë 24 orë në detyrë dhe mbulojnë të gjitha pjesët e vendit, përfshirë të gjitha lokacionet, të gjitha fshatrat e vendit dhe normalisht që ata janë të parët që ballafaqohen me rreziqe të ndryshme. E dini që një numër i kolegëve tanë janë vrarë në linjë të detyrës dhe fatkeqësisht ne sot ende nuk e kemi sigurimin shëndetësor, i cili është njëri ndër kushtet themelore, ndër kushtet elementare për sigurinë në punë.

E di që kemi bërë disa përpjekje që edhe Qeveria e ka në prioritet që sigurimi shëndetësor të bëhet, jo vetëm për ne por edhe për institucionet tjera. Ne kemi biseduar disa herë edhe me kryeministrin dhe me zyrtarët e tjerë qeveritar dhe po besoj që në një të ardhme shumë të afërt që do të realizohet edhe kjo, që për mua është elementare dhe mund të themi që ndoshta është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

Ballkani.info: Ne mungesë të ligjit për pension, mosha 65 vjeçare është mosha që pjesëtarët e Policisë duhet të dalin në pension, e ndërsa një numër i madh i pjesëtarëve të PK-së edhe për shkak të faktorit moshë kanë probleme shëndetësore, rrjedhimisht janë të paaftë në kryerjen e detyrave policore, a keni ndërmarrë diçka në këtë drejtim tek organet relevante për miratimin e një ligji të tillë, diçka që e kanë praktikë vendet e rajonit?

Rashit Qalaj:
Të them të drejtën, botërisht dihet që mosha mesatare e Policisë së Kosovës është afër 45 vjet dhe konsiderohet një moshë mjaft e vjetër, pra konsiderohet një polici mjaft e vjetër. Është krejtësisht normale që secili individ do të vie koha që do të plaket në moshë, do të vie dita që do të jetë ndoshta edhe i sëmurë edhe aq më keq kur të jesh edhe i sëmurë edhe në moshë dhe duhet të punosh, sidomos me uniformë, ku dihet natyra e punës së policit dhe ne edhe në këtë kontekst jemi duke bërë përpjekje së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë që të gjejmë një zgjidhje për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policor.

Momentalisht ne kemi një draft-ligj së bashku me MPB-në dhe momentalisht ky ligj është në Ministrinë e Financave. Unë po shpresoj dhe kam informacione që gjatë muajit korrik do të jetë në agjendën e Kuvendit, në mënyrë që të trajtohet kjo problematikë. Po shpresoj që gjatë ditëve në vijim do të kemi prapë kontakte me Ministrinë e Financave dhe me zyrtarë tjerë të Qeverisë, në mënyrë që të gjejmë mënyrën ose modalitetet e implementimit të këtij ligji. Meqenëse, të jemi real ky ligj ka një kosto dhe paraqet një barrë mjaft të madhe për buxhetin dhe është normale, mirëpo tani është e jona që së bashku me Qeverinë ta gjejmë mënyrën se si ky ligj të kalojë dhe të ketë sa më pak implikime buxhetore. Nuk është problem konsideroj së paku nga ana jonë që ky ligj të implementohet në faza, p.sh., për tri vite, katër vite , pesë vite, pra të gjithë policët e Kosovës në moshën 55-65 vjeçare të pensionohen në faza, se edhe ashtu ne nuk mund të zëvendësojmë aq lehtë meqenëse edhe rekrutimi edhe dërgimi i kadetëve në Akademinë Policore zgjatë dhe absolutisht ne nuk guxojmë që lëmë qytetet pa policë, t’i pensionojmë e mos t’i zëvendësojmë menjëherë. Prandaj, do të ishte e rrugës që edhe ky ligj të implementohet, nëse kalon kuptohet hap pas hapi edhe të zëvendësohen me kolegë të rinj, që do të punësohen në Policinë e Kosovës.

Ballkani.info: A janë përmbushur nevojat e policisë në aspektin e logjistikës?

Rashit Qalaj: Policia për Kosovën është institucion mjaft i madh dhe puna është mjaft dinamike dhe normalisht që ne kemi një numër mjaft të madh të pajisjeve, të veturave të cilat përdoren në baza ditore. Unë konsideroj që jemi ndër policitë mjaft mirë të pajisura nga aspekti i logjistikës në rajon, por gjithmonë ka nevoja të reja.
Ballkani.info: A ka automjete të mjaftueshme Policia e Kosovës, dhe sa herë në vit iu bëhen kontrolla teknike?

Rashit Qalaj: Kontrolla teknike ne e kemi obligim të iu bëjmë sipas ligjit dhe normalisht që bëjmë edhe kontrolla të jashtëzakonshme, mirëpo çdo veturë e policisë regjistrohet si çdo veturë tjetër dhe kalon në procedura sikur çdo veturë tjetër, edhe veturat civile që janë. Veturat e Policisë së Kosovës janë vetura që përdoren çdo ditë dhe kanë një afat të qëndrueshmërisë, ciklin jetësor e kanë të kufizuar dhe ne në vazhdimësi duhet që të blejmë vetura të reja. Është një fatkeqësi që në Policinë e Kosovës, ekziston një numër mjaft i madh i llojeve të veturave që unë konsideroj që është numër i tepërt i llojeve dhe këto lloje janë të trashëguara që nga themelimi i Policisë së Kosovës në vitin 1999 e deri më sot. Ndërsa, jemi duke bërë përpjekjë që të bëjmë unifikimin e llojeve të veturave të policisë që ne kemi nevojë dhe që do të duhej t’i kemi. Unë konsideroj që numri i llojeve të veturave që do të duhet të ketë Policia e Kosovës do të duhej të ishte mjaft i vogël, ndërsa ne kemi më shumë se njëqind (100) lloje. Fillimisht është bukur e vështirë me i mirëmbajtur, është bukur e vështirë që të sigurohen pjesë, bukur e vështirë që flota jonë operative të merret me to, prandaj ne duhet të fokusohemi në disa lloje dhe konsideroj se është më lehtë edhe mirëmbajtja edhe kujdesi ndaj tyre.

Ballkani.info: A janë mjaftueshëm të pajisur me armatim Policia e Kosovës?

Rashit Qalaj:
Në nevojat ditore ne bëjmë analizat tona të pajisjeve. Në këtë kuadër, bëhet edhe analiza e armatimit të nevojshëm për njësitet tona dhe për policët tanë, andaj çdo vit blejmë një numër të pajisjeve por edhe të armatimit. Edhe këtë vit do të blejmë një numër të armatimit për njësitë që i kemi në terren, për Njësitë Speciale, për policët tani që kemi filluar t’i pajisim edhe me armë të gjata në kuadër të patrollave policore dhe konsideroj që ky është një proces i vazhdueshëm dhe për çdo vit ne kompletojmë koleksionin e armëve që e kemi.

Ballkani.info: Nga kush furnizohet Policia e Kosovës me armatim?

Rashit Qalaj: Të them të drejtën nuk e di nga kush, meqenëse ky është proces i tenderimit që nuk kam qenë në ngjarje më herët.

Ballkani.info: Nga cili shtet, se e dijmë që Kosova nuk prodhon armë?

Rashit Qalaj: Ne kemi lloje të ndryshme të armëve dhe normalisht që varësisht prej prodhuesve që janë të shteteve evropiane, prej p.sh., ‘Glock’ është austriak, kemi armë të ndryshme, ‘Heckler’ nga Gjermania, e kështu më radhë. Mirëpo, tani do të jetë mënyra e mbledhjes së armëve pak më ndryshe, meqenëse nuk do të jetë me tender të hapur, por me negocim direkt nëpër fabrikat ku prodhohen, në mënyrë që edhe procedurat e blerjes të jenë më të shpejta edhe konsideroj që edhe çmimi do të jetë më i lirë.

Ballkani.info:
E cekët edhe ju që Policia e Kosovës është pajisur me armë të gjata.

Sipas burimeve tona, Gjermania ka ekstraduar rreth 20 shtetas kosovar apo i ka liruar me kusht që ata të mos hyjnë më në Gjermani.

Shtetasit në fjalë kanë kryer vepra penale.
A ndihet Kosova e rrezikuar nga këta persona dhe a mund të jetë kjo njëra nga arsyet e pajisjes me armë të gjata nga Policia e Kosovës?

Rashit Qalaj: E dini që kah fundi vitit 2018, ne kemi pasur një numër të grabitjeve në nivel vendi. Kemi pasur disa incidente dhe në kuadër të këtyre grabitjeve kemi pasur edhe disa të shtëna në drejtim të policisë nga keqbërësit apo nga kryersit e këtyre veprave penale dhe poashtu patëm rastin e vrasjes së një polici dhe të një kryersi të veprës penale në Istog, dhe menjëherë ne duhet të ofrojmë kushte shtesë për sigurimin e jetës së policëve, e në këtë kontekst është pajisja e tyre me armë të gjata, pra secila patrollë do të pajiset me nga një armë të gjatë. Fillimisht, ne kemi vendosur për qytetin e Prishtinës, për Pejën, për Gjakovën duke i konsideruar rajonet më të atakuara nga keqbërësit. Mirëpo, gradualisht do të pajisen të gjitha patrollat policore në nivel vendi, me armë të gjata, në mënyrë që policët të jenë në gjendje që të reagojnë në mënyrë të sigurtë ndaj të gjithë njerzëve të rrezikshëm për jetën dhe trupin e policit.

Ndërsa, sa i përket pyetjes suaj konkrete, se a ndihet Kosova e rrezikuar nga këta individ, unë fillimisht nuk e kam informatën që janë larguar nga Gjermania një numër i tillë, i njerëzve të cilët kanë kryer vepra penale atje dhe janë liruar me kusht apo kusht që të mos kthehen në Gjermani. Mund të konstatoj që njeriu që është vrarë nga polici në Istog, ka qenë njëri që është larguar nga një shtet evropian dhe që ka kryer vepra penale në vendin ku ka qenë. Mirëpo, Kosova nuk ndihet e kërcënuar nga këta njerëz meqenëse Kosova ka institucione, ka polici, ka institucione tjera të sigurisë, pra Kosova është mjaft e sigurtë.

Ballkani.info: Në kuadër të Policisë së Kosovës është Departamenti Special anti-korrupsion (apo ndryshe task-force).
Cilat janë rezultatet e kësaj task-force?
A keni ndonjë rast konkret?

Rashit Qalaj: Departamenti Special anti-korrupsion është duke punuar në disa raste, mjaft të ndjeshme, mjaft të rëndësishme dhe për raste nuk mund të flas, meqenëse janë në fazën e hetimeve, por shpresoj që së shpejti të kemi disa rezultate mjaft të rëndësishme.
Ballkani.info: Inspektorati i Policisë së Kososvës, ka rekomanduar për suspendimin e atyre pjesëtarëve të policisë të cilët janë invalid të UÇK-së.
Sipas IPK-së bëhet fjalë për 94 pjesëtarë të cilët kanë probleme mendore. Ku janë bazuar apo iu kanë nënshtruar ndojë testi verifikues?

Rashit Qalaj: Po ka qenë një kërkesë, nëse nuk gabohem në vitin e kaluar për kolegët në fjalë. Ne si polici i kemi trajtuar të gjithë kolegët dhe kemi bërë kontrollin e tyre shëndetësor në klinikën e kontraktuar nga Policia e Kosovës, dhe rezulatati ka dalur se secili prej tyre është i mirë me shëndet dhe tani bazimi i kolegëve nga Inspektorati më duket ka qenë në një kontrollë mjekësore që këta kanë kaluar diku në vitin 2006 dhe janë bazuar në atë kontrollë mjekësore të vitit 2006. Mirëpo, mund të them që këta janë shëndosh e mirë. Pra, sipas mjekëve nuk kanë probleme. Ne e kemi informuar secilin nga kolegët mbi të gjeturat nga mjekët, nga doktorët e kësaj klinike dhe e kemi njoftuar me rezultatin mbi shëndetin e tyre secilin prej tyre dhe rasti është nën hetime, është duke vazhduar, është çështje e organeve të ndjekjes se si do të procedohet tutje.

Ballkani.info: Gjykata Speciale tanimë ka filluar punën e saj me dërgimin e ftesave dhe intervistimin e eprorëve dhe të ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Kjo gjykatë, a ka ndonjë bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në rast se të ftuarit nuk iu përgjigjen ftesës. Pra, a do të asistoni në arrestim apo në ndonjë formë tjetër?

Rashit Qalaj: Po është e vërtetë, ka qenë edhe në media që disa njerëz, disa ish komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë intervistuar nga zyrtarët e gjykatës në fjalë. Ne nuk kemi ndonjë kontakt me ta, nuk kemi deri më tani ndonjë bashkëpunim dhe nuk do të kisha komentuar më shumë rreth kësaj.

Ballkani.info: Na flisni për kushtet dhe sfidat e Policisë Kufitare?

Rashit Qalaj: Një segment mjaft i rëndësishëm në Policinë e Kosovës është edhe Policia Kufitare e cila i mbulon dhe menaxhon kufirin e Kosovës, një pjesë së bashku me KFOR-in dhe pjesën tjetër si e vetme. Mund të them që kemi një Polici Kufitare, mjaft aktive të cilët e bëjnë punën e tyre edhe në pikat e kalimit kufitar, por edhe në zonën që ata e mbulojnë pra Zonën e Gjelbër, dhe mund të them që vendi është mjaft i sigurtë. Kemi një pjesë të vendit që e përmenda edhe më herët, të cilën e mbulojmë me forcat e KFOR-it, pra pjesa e kufirit me shtetin fqinj, pra me Republikën e Serbisë, dhe poashtu kemi pjesën ku kemi pasur disa probleme dhe kemi momentalisht, që është pjesa e Veriut të vendit. Meqenëse, kemi disa raste atje të kontrabandës, mallrave posaqërisht pas aplikimit të taksës 100% nga Qeveria e vendit, dhe jemi duke punuar që njëkohësisht të shtojmë integritetin e policëve në këtë pjesë, çdokund por sidomos në këtë pjesë dhe poashtu parandalojmë rastet e kontrabandës në atë pjesë. Policët tanë janë mjaft të angazhuar në pikat kufitare, sidomos pikat kufitare me Shqipërinë, Vërmicë, pika kufitare në Hanin e Elezit dhe pika kufitare në Merdare, ka një qarkullim mjaft të madh, pra janë pika mjaft të ngarkuara, mirëpo policët tanë punojnë mjaft mirë dhe besoj që shërbimet ofrohen në të mirë të qytetarëve.

Ballkani.info: Këtë vit a ka aplikuar Kosova në INTERPOL?

Rashit Qalaj: Mund të them që po. Na mbetet të punojmë shumë, ne, Ministria e Punëve të Brendshme, sidomos Ministria e Jashtme dhe tërë institucionet në mënyrë që të bindim vendet që Kosova duhet të jetë pjesë e INTERPOL-it. Është në interesin tonë si Polici e Kosovës, që të jemi pjesë e INTERPOL-it, këtij mekanizmi mjaft të rëndësishëm të sigurisë në globin tokësor. Mirëpo, konsideroj që është edhe në interes të INTERPOL-it, meqenëse që Kosova po mbetet si një vrimë e zezë dhe njëra nga detyrat kryesore është INTERPOL-i. Anëtarësimi në INTERPOL do të ndihmonte shkëmbimin e informacioneve dhe mbledhjen e informatave, andaj konsideroj se është interes i dyanshëm dhe shpresoj që do të bëhemi anëtar të INTERPOL-it.

Intervistoi: Mihane Hoxha / Ballkani.info