Pyetja skandaloze a duhet të hetohen gazetarët, reagojnë Sejdiu e Latifi

83.6% e personave që kanë votuar në një anketë online që ka bërë KTV-ja janë përgjigjur me “PO”, në pyetjen se a duhet të hetohen gazetarët për shkrimin e tyre.

Ndaj kësaj pyetje ka pasur shumë reagime, derisa, filozofi Blerim Latifi ka thënë se ky sondazh i kujton një deklaratë të sociologut Ralf Dahrendorf që pas rënies së komunizmit kishte folur për atë se sa muaj iu duhen për të ndryshuar institucioneve.

“Ky sondazh më kujton sociologun gjerman Ralf Dahrendorf, i cili, pas rënies së komunizmit, i pyetur se si e sheh të ardhmen e vendeve postkomuniste, tha: Do të duhen gjashtë muaj për t’i ndryshuar institucionet, gjashtë vite për të ndryshuar ekonominë dhe gjashtëdhjetë vite për të ndryshuar mentalitetin e krijuar nga komunizmi”, ka shkruar Latifi.

Pas këtij sondazhi ka reaguar edhe ish-deputeti Dardan Sejdiu përmes një shkrimi në Twitter.

Ai ka shkruar “Krejt ne haps! Krejt!”, derisa, të njëjtit i ka replikuar edhe gazetari Vehbi Kajtazi.

Drejtori i Insajderit, Parim Olluri ndërkaq ka thënë se Kosova po bëhet si Turqia e Erdoganit.