Përdorimi i armëve kimike nga Rusia në Ukrainë mund ta shtyjë NATO-n të rishqyrtojë vendimin e saj për të mos ndërhyrë ushtarakisht në konflikt, ka thënë presidenti polak.

Duke folur për BBC-në, Andrzej Duda u pyet nëse beson se presidenti rus, Vladimir Putin mund të përgatitej të përdorte armë kimike.

“Kjo është diçka që bota nuk e ka parë në këtë shkallë që nga Lufta e Dytë Botërore,” tha ai.

“Nëse po më pyesni se a mundet Putini të përdorë armë kimike, unë besoj se Putini mund të përdorë çdo gjë tani, veçanërisht kur është në këtë situatë të vështirë”.

“Politikisht, ai tashmë e ka humbur këtë luftë, dhe ushtarakisht, ai nuk po e fiton atë”.

I pyetur nëse ndonjë përdorim i tillë mund të nxiste një ndërhyrje të NATO-s, ai tha: “Sigurisht, të gjithë shpresojnë se ai nuk do të guxonte ta bënte këtë.

“Por… nëse ai përdor armë të shkatërrimit në masë, kjo do të ishte një ndryshim i lojës”.

“Sigurisht, [NATO]… do të duhet të ulet në tryezë dhe ata do të duhet të mendojnë seriozisht se çfarë të bëjnë, sepse atëherë fillon të jetë e rrezikshme, jo vetëm për Evropën…, por për të gjithë botën”.