Putini insiston se zgjidhja Kosovë-Serbi duhet të vijë përmes Rezolutës 1244

Rusia është e gatshme të mbështesë zgjidhjen e mundshme të kompromisit të, siç tha presidenti rus, Vlladimir Putin, “problemit të Kosovës” nëse ajo arrihet mes Beogradit e Prishtinës.

Megjithatë, siç tha Vuçiqi, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Rusi, pritjet për arritjen e kompromisit “nuk janë të mëdha”, raporton Kossev.

“Ia kam përcjell presidentit Putin pritjet e mia jo të mëdha për sa i përket bisedimeve me palën shqiptare në të ardhmen, e mbi të gjitha duke pas parasysh deklarimet e tyre, por edhe tentimet që me presione të arrijnë vetëm njohjen e pavarësisë, ndërsa Serbia të mos fitojë asgjë. Kjo s’është e mundshme, nuk është realiste, kjo s’do të ndodhë”, tha presidenti serb Vuçiq, nga qyteti olimpik rus, Soçi.

Ai ka falënderuar Federatën Ruse për mbështetjen që i ka dhënë për integritetin territorial dhe interesat politike të Serbisë, veçanërisht kur janë në pyetje Kombet e Bashkuara, dhe ka premtuar mbështetje të njëjtë edhe nga pala serbe.

Ngjashëm për çështjen e Kosovës u deklaruar edhe presidenti rus Putin, duke përsëritur se qëndrimi rus është ai i njëjti se zgjidhja duhet të vijë përmes Rezolutës 1244.

“Qëndrimi ynë është i pandryshuar. Baza për zgjidhjen duhet të jetë Rezoluta 1244 e KS të OKB-së në të cilën janë të paraqitura parimet themelore të zgjidhjes paqësore të krizës së Kosovës, të respektimit të tërësisë territoriale të Serbisë, mbrojtje adekuate për të gjitha grupet etnike që jetojnë në rajon”, tha Putini në konferencën e përbashkët me Vuçiqin.

Megjithatë, Putini thotë se Rusia është e gatshme të mbështesë pozicionin e Beogradit.

“Rusia është e gatshme të mbështesë zgjidhjen e mundshme të kompromisit të problemit të Kosovës nëse kjo arrihet mes Beogradit dhe Prishtinës. Natyrisht, ne do të mbështesim pozicionin e Beogradit”, tha Putini.