Putin: Zgjerimi i NATO-s, kërcënim për Rusinë

Presidenti rus, Vlladimir Putin, ka thënë sot se zgjerimi i NATO-s paraqet kërcënim për sigurinë e Rusisë.

Putini, duke folur në një takim të liderëve ushtarakë rusë në resortin turistik të Detit të Zi rus në Soçi, tha se NATO-ja ishte krijuar si një kundërpeshë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vazhdoi të ekzistonte edhe pse BRSS-ja ishte shuar, raportojnë agjencitë botërore të lajmeve.

Sipas tij, stereotipi i “të menduarit në bllok” nuk është mënyrë e mirë për të marrë vendime ndaj “kërkesave globale të cilat ndryshojnë shpejt”.

Lideri rus ka shtuar se NATO-ja ka injoruar ofertat e Moskës për bashkëpunim në luftën kundër sfidave globale siç janë terrorizmi global dhe zgjerimi i armatimit për shkatërrim në masë.

“Zgjerimi i NATO-s dhe forcimi i infrastrukturës ushtarake të aleancës në afërsi të kufijve rusë, paraqet kërcënim potencial”, tha Putini.

Putini i tha këto fjalë derisa presidenti amerikan, Donald Trump, iu vërsul aleatëve evropianë para një samiti të përvitshëm të NATO-s në Londër, duke veçuar Emmanuel Macronin e Francës për komentet e tij “shumë të këqija” mbi aleancën dhe Gjermaninë për shpenzime të vogla në mbrojtje.