Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë pretendimet për një program të fshehtë bërthamor nga ana e Iranit, duke theksuar se as Rusia e as Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) nuk kanë hasur ndonjëherë dëshmi për një gjë të tillë.

Sipas tij, këto qëndrime u janë bërë të qarta edhe autoriteteve izraelite në mënyrë të përsëritur.

“Si Rusia, ashtu dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), nuk kanë pasur kurrë prova se Irani po përgatitet për të zotëruar armë bërthamore, gjë që ja kemi bërë me dije në vazhdimësi udhëheqësisë së Izraelit”, ka deklaruar ai, sipas “Sky News Arabia”.

Putin gjithashtu ka shprehur mbështetjen për të drejtën e Iranit që të zhvillojë një program bërthamor për qëllime paqësore, duke thënë se Moska është e gatshme ta ndihmojë Teheranin në këtë drejtim.

Ai ka theksuar se “Teherani zyrtar ka të drejtën legjitime për ta bërë një gjë të tillë”.