Vladimir Putin

Putin: Raketa jonë arrin për 5 minuta tek ata që lëshojnë urdhra

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të martën paralajmëroi kundër dërgimit të trupave dhe armëve të NATO-s në Ukrainë, duke thënë se kjo përbën “vijë të kuqe” për Rusinë dhe do të nxiste kundërpërgjigje të fuqishme.

Duke i komentuar shqetësimet e Perëndimit rreth synimit të pretenduar të Rusisë për ta pushtuar Ukrainën, presidenti rus tha se Moska është po aq e shqetësuar rreth ushtrimeve të NATO-s afër kufijve të saj, shkruan Independent.

Duke folur në një forum për investime, ai shtoi se NATO-ja mund ta shfrytëzojë territorin e Ukrainës për të aktivizuar raketa që mund t’i arrijnë qendrat ruse të komandës për vetëm pesë minuta.

Putini shtoi se Moska është detyruar që t’u bëjë ballë kërcënimeve në rritje duke zhvilluar armë të reja hipersonike. “Çfarë duhet të bëjmë ne? Ne do të duhej të zhvillonim diçka të ngjashme për t’i shënjestruar ata që na kërcënojnë dhe ne mund ta bëjmë këtë edhe tash”, tha ai.

Presidenti rus tha se një raketë e re hipersonike, e cila pritet të futet në shërbim nga forcat detare ruse në fillim të vitit të ardhshëm, do të mund ta arrinte cakun në kohë të ngjashme. “Asaj gjithashtu do t’i duheshin vetëm pesë minuta për t’i arritur ata që lëshojnë urdhra”, tha ai.

Raketa hipersonike ruse, “Zircon”, që mund të fluturojë me shpejtësi nëntë herë më të madhe se të zërit e me rreze deri në 1.000 kilometra, u është nënshtruar disa testimeve, së fundi të hënën.