Putin pranon se iu ofrua sozia gjatë konfliktit çeçen, por e refuzoi

Për herë të parë ndonjëherë, presidenti rus Vladimir Putin, ka pranuar se i është ofruar mundësia që ta ketë një sozi për çështje sigurie. E, kjo mundësi i ishte ofruar gjatë luftës së dytë të Rusisë kundër separatistëve çeçenë në fillim të viteve 2000.

Çështja e ekzistimit të një projekti qeveritar për angazhimin e sozive për sigurinë e presidentit është shtruar edhe në të shkuarën, por kjo është hera e parë që ai e adreson hapur.

Gjatë një deklarimi para mediave në Moskë, Putini tha se megjithatë e kishte refuzuar mundësinë e angazhimit të sozisë.

“Kam refuzuar të kem sozi. Mundësia është shqyrtuar në kohën më të vështirë, kur përballeshim me luftën dhe terrorizimit”, ka thënë Putin, pa ofruar më shumë hollësi.

Lufta e parë çeçene ishte zhvilluar midis viteve 1994 dhe 1996, duke lënë të vdekur të paktën 30 mijë persona. Rusia ka arritur që ta rikthejë kontrollin mbi këtë rajon, vetëm pas luftës së dytë të viteve 1999-2009. E këtë konflikt Moska zyrtarisht e ka cilësuar si operacion antiterrorizëm.

Pas konfliktit, Putini i ka vizituar trupat ruse në Çeçeni disa herë. Duke qenë dikur ish-zyrtar i Agjencisë Shtetërore të Inteligjencës në periudhën e ish-Bashkimit Sovjetik dhe më pas edhe ish-drejtues i Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, Putini ka udhëhequr Rusinë herë si kryeministër e herë si president për më shumë se 20 vjet.