Serbët në Kosovë

Pushteti reagon pas votimit në PE për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës

Zyrtarë të lartë të partisë në pushtet – Vetëvendosje – ka filluar me reagime pasi Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme në Parlamentin Evropian, ka miratuar raportin që mundëson liberalizimin e vizave për qytetarët serbë të Kosovës, por me pasaporta të Serbisë.

Edhe më parë kjo lëvizje ishte kritikuar nga Qeveria Kurti, por tashmë pas votimit, kritikat kanë fillurar përsëri.

Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ka reaguar pas votimit në komisionin LIBE të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave të serbëve të Kosovës me pasaportë serbe.

Kadriu përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se shprehin keqardhje në lidhje me një zhvillim të tillë, duke thënë se qytetarët nga komuniteti serb po pajisen me dokumente të shtetit kosovar:

“Qytetarët tanë nga komuniteti serb nuk janë të izoluar e as komuniteti i vetëm që nuk mund të udhëtojë drejt Evropës. Qytetarët tanë nga komuniteti serb, po vazhdojnë të pajisen me dokumenta të shtetit tonë dhe të ketë interesim të lartë, e ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qytetarëve që të pajisen me to, në mënyrë që ta shfrytëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë pas arritjes së liberalizimit të vizave për shtetin tonë. Ne vijojmë të qëndrojmë në gatishmëri e me kapacitete të plota për të përmbushur kërkesat e tyre”.

Ai është shprehur se pasaportat e lëshuara nga Serbia shkelin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Ky qëndrim rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm, kur vetëm para më shumë se një viti, një tentativë e njëjtë për njohjen e dokumenteve ruse të udhëtimit të lëshuara në Ukrainë dhe Gjeorgji, u dënua dhe nuk u pranua nga vetë institucionet e BE-së.” – tha ai tutje.

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka reaguar përmes një deklarimi në “X”, të martën.

Ajo është shprehur e çuditur për vendimin dhe ka thënë se është një lëvizje regresive.

“Cili është arsyeja pas këtij vendimi? Përkrahja e përfaqësimit të paligjshëm të “Drejtorisë së Koordinimit Serb në Kosovë” shërben vetëm për zgjerimin e hendekut ndërmjet komuniteteve dhe është një lëvizje regresive për integrimin dhe sundimin e ligjit në mbarë Kosovën”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se Komisioni për Liri Qytetare dhe Punë të Brendshme në Parlamentin Evropian, ka miratuar raportin që mundëson liberalizimin e vizave për qytetarët serbë të Kosovës, por me pasaporta të Serbisë.

Raporti, i përpiluar nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, u miratua me 34 vota për, 7 kundër dhe 12 abstenime.

Votimi është një hap drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe në Kosovë.