Punëtorin e KEDS-it nuk e shkeli i mituri, e mbytën telat e rrymës

Një punëtor i KEDS-it, me inicialet XH.G. ka ndërruar jetë të dielën, si pasojë e plagëve të mara në vendin e punës në Shajkovc të Podujevës, derisa ishte duke tërhequr kabllo elektrike për t’i vendosë në shtyllë të cilat e kanë përplasur për tokë.

Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, njoftoi se A.C përgjegjës i punimeve në KEDS, është ndaluar në mbajtje për 48 orë, e më pas prokurori kujdestar ka kërkuar paraburgim për të nën dyshimin se i njëjti, ka kryer veprën penale asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.

Por të dielën, KEDS, në një komunikatë për media, deklaroi se punëtori ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku, ku është goditur nga një veturë.

Të njëjtin version në raportin 24 orësh e dha edhe policia e vendit, ku sipas tyre viktima është goditur me veturë nga një i mitur i cili ngiste makinën.

Më pas, pas rezultateve të obduksionit të trupit të pajetë të të ndjerit, e këqyrjes së kamerave të sigurisë të vendosura në zonë, prokuroria ka ndaluar përgjegjësin e punimeve në KEDS, A.C dhe ka ardh në përfundim se punëtori i kompanisë për shpërndarjen e energjisë ka vdekur nga lëndimet e mara nga tërheqja e kabllove të energjisë elektrike.

https://youtu.be/C3rOqcqUqxQ