Punëtori i KEDS-it lëndohet nga mungesa e mbrojtjes, fillojnë hetimet

Në fillim të muajit nëntor, teksa punonte në njehsorin e rrymës elektrike, një punëtor i KEDS-it në Prizren, u aksidentua dhe pësoi djegie të shkallës së dytë.

Punëtori që ishte në javën e parë të punës, u aksidentua më 6 nëntor, ndërkaq, në Inspektoratin e Punës rasti u paraqit vetëm pesë ditë pas ngjarjes, raporton KTV.

Kohavisioni ka kontaktuar edhe me të dëmtuarin, mirëpo i njëjti nuk ka pranuar të flasë për ngjarjen. Ndërkaq, mësohet se deri tek aksidenti erdhi për shkak që punëtori nuk i kishte mjetet mbrojtëse të punës.

Për këtë, nga KEDS-i, thonë se i njëjti ishte i pajisur me to, por që nuk i ka përdorur.

“Në rastin konkret, gjatë rikyçjes së konsumatorit, ekipi nuk i ka respektuar rregullat e sigurisë në punë. Po ashtu, nuk janë përdorur pajisjet mbrojtëse nga tensioni, për të cilat punëtorët (ekipi) në deklaratën e shkruar, kanë konfirmuar se të njëjtat i kanë pasur në dispozicion”, ka thënë zyra për media, KEDS.

Lidhur me aksidentin, Inspektorati i Punës ka hapur rast. Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit, Valon Leci, ka thënë që do të marrin masa edhe ndaj kompanisë.

Leci ka thënë që energjia elektrike këtë vit është faktori kryesor i vdekjeve në vendin e punës.

Në Kosovë, siguria në punë ende vazhdon të jetë sfidë. Vetëm gjatë vitit 2019, 11 punëtorë kanë vdekur në vendin e tyre të punës.