Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë protesta të përshkallëzuara

Sindikata e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë të Kosovës kanë protestuar, pasi që kërkesat e tyre nuk u plotësuan nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë, Fitim Havolli ka bërë thirrje që sa më shpejtë të plotësohen kërkesat e tyre, për rritjen e koeficientit prej 3.2.

Havolli ka thënë se kërkesa e tyre, pavarësisht dëmeve ekonomike, janë të përballueshme për Republikën e Kosovës.

Ai ka deklaruar se në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre do të ketë protesta të përshkallëzuara.

Havolli: Kërkesat tona janë të përballueshme për Republikën e Kosovës

Havolli ka thënë se infermierët, mamitë dhe profesionistë të tjerë kanë qenë çdoherë në front dhe nuk janë tërhequr asnjëherë nga shërbimi qytetarëve, pavarësisht rrezikut që i është kanosur këtyre dhe familjeve të tyre.

Ndërsa Nexhmie Sogojeva, mami në klinikën gjinekologjike, ka thënë se përkundër kushteve dhe punës që e bënë ky komunitet, asnjëherë nuk kanë marrë as një pagesë shtesë.

Sogojeva: Asnjëherë s’kemi marrë as një beneficion ose pagesë shtesë

Sogojeva ka thënë se në kohën e pandemisë lidhet edhe shëndeti i personelit, ku kishte raste që ishin ballafaquar edhe me mungesë të maskave.

Infermierët, mamitë dhe profesionistë të tjerë kanë paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata do të futën në grevë. E në rast se futën në grevë, ata kanë thënë se do të përfundoi dialog social.