Punëtorët shëndetësorë paralajmërojnë protesta nëse nuk votohet Buxheti për vitin 2021

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, gjatë javës së kaluar u ka dërguar një letër U.D Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe krerëve të subjekteve politike për votimin Buxhetit për vitin 2021. Nga kjo Federatë kanë thënë për Express se do të ketë reagime, përfshirë këtu edhe protesta në rast se Buxheti për vitin 2021 nuk votohet.

Përmes një letre dërguar U.D presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe krerëve të subjekteve politike në vend, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka kërkuar votimin e Buxhetit për vitin 2021, në të cilin do të parashihen edhe shtesat për punëtorët shëndetësorë.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka paralajmëruar protesta dhe reagime tjera në rast se neglizhohen kërkesat e tyre.

“Nëse e neglizhojnë situatën siç po kanë dëshirë, unë paralajmërojë protesta dhe reaksione shumë të këqija. Nëse nuk po duan të shohin mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë, pasojat do t’i bartin vetë”, ka thënë ai.

Syla ka thënë se gjendja në shëndetësi është shumë e rëndë, andaj edhe Qeveria duhet ta ketë prioritet pandeminë.

“Nëse ky trend vazhdon besoj që kjo Qeveri apo Qeveria e ardhshme duhet t’i thirrjen mendjes e të merren me pandeminë. Gjendja është shumë e rëndë”, ka theksuar ai.

Përndryshe, Syla ka thënë se tashmë mbi 3 mijë punëtorë shëndetësorë janë infektuar nga COVID-19, derisa shumë prej tyre edhe kanë vdekur si pasojë e këtij virusi.

Nga FSSHK-ja është thënë më herët se miratimi i Buxhetit konsiston në stabilitet ekonomik dhe se mos votimi i buxhetit për vitin 2021 mund të sjell pakënaqësi dhe reagime sociale.