Punëtorët shëndetësorë në grevë, kanë një mesazh për kryeministrin Kurti

Punëtorët shëndetësorë në Kosovë kanë hyr në grevë tetë orëshe duke nisur nga ora 07:00, për shkak të mosrealizimit të kërkesave të tyre për ligjin e pagave.

Me këtë rast, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla ka deklaruar se punëtorët shëndetësorë në 43 qendra shëndetësore kanë hyrë në grevë.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë me veprime të njëjta derisa të mos plotësohen kërkesat tyre.

“Pacientëve ju kërkoj falje që Qeveria Kurti na shtini që për tetë orë të ndahemi nga ju. Greva do të vazhdojë edhe një orë e gjysmë. Në 43 qendra shëndetësore i janë përgjigj 100 për qind grevës. Për ne sindikalistët kjo është një arritje e madhe se po tregon një unitet sa i përket kërkesave tona. Sot janë punuar të gjitha rastet emergjente. Sot kjo grevë është senzibilizu në mbarë Evropën. Ne edhe njëherë po i dergojmë një mesazh kryeministrit Kurti që sot nga ora 15:00 të filloj të mendoj. Le te jetë ky mesazhi i fundit për Qeverinë Kurti, të ulem dhe të bisedojmë. Mos na shtini me bë gjëra të tilla”, deklaroi Syla.

Poashtu ai tha se Federata sot ka marrë një përkrahje të madhe edhe nga ndërkombëtarët.

Blerim Syla tha se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre do të hyjnë në grevë edhe të enjten e ardhshme.

Ndërsa, Rrahman Jashari ka thënë se kërkesa e tyre është modeste, se duan dialog me qeverinë. Ai ka thënë se nëse kërkesat e tyre nuk pranohen, do të ketë edhe protesta e greva nga punonjësit e arsimit.