Punëtorët shëndetësorë hezitojnë, por qytetarët kërkojnë të vaksinohen kundër COVID-19

Përderisa interesimi i punëtorëve shëndetësorë për t’u vaksinuar kundër COVID-19 thuhet se nuk është i madh, drejtorë të shëndetësisë në komuna tregojnë se qytetarët po shprehin interesim për ta marrë këtë vaksinë. Ata presin që me ardhjen e vaksinave shtesë, do të vaksinojnë një numër të madh të qytetarëve, raporton Ballkani.info.

Ndonëse Kosova gjatë muajit maj dhe qershor pritet të furnizohet edhe me rreth 200 mijë vaksina Anti-COVID, interesimi i punëtorëve shëndetësorë nuk është aq i madh për t’u vaksinuar. Megjithatë, drejtorë të shëndetësisë në komuna thonë se interesimi i qytetarëve për ta marrë vaksinën është shumë i madh.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Afërdita Spahiu-Shllaku ka deklaruar se deri tani në këtë komunë janë vaksinuar 689 punëtorë shëndetësorë, 923 të moshuar dhe 34 persona në dializë.

Ajo ka thënë se në këtë komunë janë gjithsej 1 mijë e 20 punëtorë shëndetësorë të sektorit publik, ndërsa, edhe ata të sektorit privat kanë marrë pjesë në vaksinim.

 “Deri tani janë vaksinuar 689 punëtorë shëndetësorë, 923 të moshuar dhe 34 pacientë me dializë. Në Komunën e Gjakovës janë 1 mijë e 20 punëtorë shëndetësorë vetëm në sektorin publik. Janë thirrur edhe punëtorët shëndetësorë të sektorit privat, ka kërkesa po ato nuk janë shumë të mëdha”, ka thënë ajo.

Përndryshe, Spahiu-Shllaku ka deklaruar se kërkesat e qytetarëve janë shumë të mëdha për t’u vaksinuar.

Ajo ka thënë se kërkesat më të mëdha vinë nga mosha 75-79 vjeçare.

Ndërsa, hezitim për të marrë vaksinën kanë pasur edhe punëtorët shëndetësorë në Komunën e Gjilanit.

Një informatë e tillë është bërë e ditur nga nënkryetari i kësaj komunë, Arbër Ismajli.

Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Gjilanit, Selami Xhemaili, ka thënë se arsyet për mosvaksinimin e një pjese të punëtorëve shëndetësorë është se disa prej tyre nuk i kanë bërë ende 3 muaj që prej kur janë shëruar nga virusi, disa prej tyre janë me virus ndërsa disa edhe dyshojnë në vaksinën AstraZeneca për shkak të raportimeve që janë bërë.

“Arsyet kanë qenë të ndryshme, një pjesë kanë qenë me COVID, dhe 3 muaj pas shërimit mund të marrin vaksinën, një pjesë e tyre janë me virus, një pjesë tjetër i kanë arsyet personale, presin tjera vaksina, për shkak të fushatës që është bërë kundër kësaj vaksine. Përndryshe, vaksinimi është në përfundim e sipër, 980 vaksina janë dhënë deri sot”, ka deklaruar ai.

Edhe Xhemaili ka thënë se interesimi i qytetarëve tjerë ka qenë shumë i madh dhe se presin që me ardhjen e vaksinave shtesë, do të vazhdojë ky interesim i qytetarëve.

“Qytetarët janë shumë të interesuar, sidomos te të moshuarit dhe fatmirësisht nuk kanë pasur efekte anësore. Te qytetarët është një vullnet i madh duke e pasur parasysh rritjen e rasteve të të prekurve dhe gjendjen në spitalin rajonal”, ka theksuar ai.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, ka thënë për gazetën se deri ditën e djeshme në këtë komunë janë vaksinuar 1 mijë e 374 persona.

Ajo ka thënë se 390 prej tyre janë punëtorë shëndetësorë.

Ymeri ka thënë se ka punëtorë shëndetësorë që e kanë kaluar virusin dhe nuk kanë dashur të vaksinohen tani, por që do ta marrin më pastaj vaksinën.

“Deri dje janë dhënë 1 mijë e 374 vaksina ndërsa kanë mbetur 186 vaksina. Punëtorë shëndetësorë të sektorit publik dhe privat janë vaksinuar diku 390, por ka punëtorë që e kanë kaluar virusin dhe nuk kanë dashur ta marrin njëherë, por donë ta marrin më vonë, disa kanë qenë të infektuar”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Ymeri ka thënë se kategoritë tjera kanë pasur shumë interesim për ta marrë vaksinën, sidomos ato nga 70 deri në 75 vjeç, por që janë kthyer prapa pasi nuk janë në kategorinë e parë të vaksinimit.

Ajo ka thënë se kur të furnizohen me doza shtesë të vaksinave, do të ketë shumë interesim për t’u vaksinuar nga moshat 65-75 vjeç.

Ndërsa, koordinatori për vaksinim në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë Niman Bardhi, ka njoftuar sot se në nivel vendi janë vaksinuar rreth 20 mijë persona.

Ai ka thënë se interesimi i qytetarëve për ta marrë vaksinën vazhdon të jetë i njëjtë.

Kujtojmë që vendi pritet të furnizohet në qershor edhe me 100 mijë e 620 doza të vaksinës Anti-COVID nga COVAX, ndërsa kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dje ka bërë të ditur se Kosova do t’i përfitojë 95 mijë doza të vaksinave, të cilat pritet të vijnë në Kosovë nga muaji maj.

Pas furnizimit me vaksinat shtesë që pritet të vinë në muajt e ardhshëm në Kosovë, do të vaksinohen personat e moshës 65-69 vjeçare, personat me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas një raporti të Demokracisë Plus me titull “Administrimi i vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë“, në fazën e dytë është paraparë vaksinimi i 126,681 personave të moshës 65-69 vjeçare, 128,667 persona me sëmundje kronike, 31,645 mësimdhënës dhe 3,708 pjesëtarë forcës së sigurisë.