Ndonëse Kosova ka legjislacion adekuat për ofrim të sigurisë në punë, ai nuk po gjen zbatim prandaj punëtorët vazhdojnë të ballafaqohen me mungesë të sigurisë dhe shëndetit në vendpunishte. E për këtë po kërkohet raportim dhe intervenim më i shpejtë nga akterët kyç.

Kështu u tha në tryezën ” Rëndësia e Sigurisë në Punë” e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe ministria e Integrimeve Evropiane e mbajtur në Pejë.

Udhëheqësi i sektorit të bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa tha se legjislacioni i Kosovës në mënyrë akademike i ka të përfshira të gjitha direktivat e legjislacionit të Bashkimit Evropian sa i takon sigurisë në punë, por që ato sipas tij nuk po gjejnë zbatim në praktikë.

Duke folur për rëndësinë e sigurisë në vendpunishte Brusa ka thënë se nëpër shumë vende të punës në sektorin e ndërtimtarisë duke nisur nga skelet nëpër të cilat duhet të hipin punëtorët për të punuar vërehet mungesa e interesimit të punëdhënësve dhe jo serioziteti i tyre për sigurinë e punëtorit.

Ai madje ka thënë se Inspektorati Punës nuk po bën mjaftueshëm në këtë drejtim teksa ka këshilluar që me urgjencë të mbyllen disa vendpunishte në Kosovë.

Ai ka kritikuar edhe sindikatat e punëtorëve që nuk po e ngritin sa duhet zërin për të drejtat dhe shkeljet që u bëhen punëtorëve në Kosovë.

Luigi Brusa tha se ndonëse BE ka investuar miliona euro në mjetet e inspektoratit të punës dhe po ashtu në trajnime nuk ka parë rezultate konkrete.

Udhëheqësja e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, Brikenë Hoxha u shpreh se papunësia dhe varfëria në Kosovë i detyron punëtorët që të punojnë në kushtet të papërshtatshme, pa kontrata pune, me orar të zgjatur, në mjedis të pasigurt.

Hoxha po ashtu tha se nga hulumtimit që kanë bërë si organizatë ka rezultuar se shkaktarët kryesor të aksidenteve dhe vdekjeve në vendet e punës janë goditje të papritura nga makineria, rrëzimet etj.

Agim Millaku, zëvendës kryeinspektor në Inspektoratin e Punës tha se sfidë kryesore e këtij institucioni mbikëqyrës është mungesa e numrit të inspektorëve dhe nevoja për të kryer trajnime adekuate për të kryer si duhet inspektimet në terren. Millaku ka thënë se ngritja e edukimit tek punëtorët sa i takon sigurisë dhe shëndetit në punë është një sfidë po ashtu e madhe e cila sipas tij mund të zgjidhet me përmes një bashkëpunimi më të madh të të gjithë palëve. Sipas tij Inspektorati i Punës po bën vazhdimisht përpjekje që të rrisë sigurinë në punë përmes inspektimeve të shumta që po bënë në terren.

Për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat foli kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Isuf Azemi i cili tha se fajtori kryesor që punëtorët e sektorit privat i ka sjell në gjendje siç e quajtur restauruese janë qeveritarët dhe vet Inspektorati i Punës, të cilët i akuzoi se janë duke punuar për t’u bërë vet të pasur kurse e kanë lënë totalisht anash sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.

Azemi ka deklaruar se në sektorin privat mbi 50 përqind e punëtorëve janë të punësuar pa kontrata të punës, ndërsa mbi 95 përqind e punëdhënësve nuk e zbatojnë Ligjin e Punës dhe Kontratën Kolektive.

Kryesindikalisti teksa ka treguar shifrat e punëtorëve që janë aksidentuar në punë apo edhe kanë humbur jetën tha se trendi i vdekjeve në vendin e punës ndër vite po shënon rritje.

Si shqetësim ai e ka paraqitur edhe pagën minimale për të cilën tha se nuk do ketë rritje ende edhe pse rezoluta është votuar në Kuvend të Kosovës.

Gjatë debatit të zhvilluar njëri nga të pranishmit, Hamdi Lokaj i cili deri më 1 qershor të këtij viti ishte menaxher i restorantit në “Viva Fresh Store” tha se për shkak se ishte ankuar për shkeljet në vendin ku ai punonte humbi vendin e punës.

Lidhur me këtë deklaratë të këtij punëtori , Agim Millaku nga Inspektorati i Punës i cili ishte prezent në këtë debat tha se pse asnjëherë Lokaj nuk kishte paraqitur ankesë në Inspektoratin e Punës, për çka tha se këso lloj parregullsish nuk ka vetëm në Viva Fresh por edhe në ndërmarrjet tjera si ETC, Interex,etj.

Ky debat për rëndësinë e sigurisë në punë u zhvillua në kuadër të projektit “Përkrahje për komunikim në procesin për integrim evropian” që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimeve Evropiane”.