Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin ku paditësit Bajrush Morina, Lirie Hajdari, Shqipe Osmani, Ismail Shabani, Avdi Gashi, Albulena Neziri, Hasan Hasanramaj, Besim Toska dhe Nezir Mazreku po kërkojnë nga e paditura gazeta “Bota sot”, kompensimin e pagave të pa paguara.
Shkak i dështimit të seancës përgatitore ka qenë mungesa e përfaqësuesit të të paditurës gazeta “Bota sot”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja e rastit, Mihane Ismajli lidhur me mungesën e përfaqësuesit të paditurës ka thënë se sipas fletkthesës në adresën e kërkuar rezulton se e njëjta nuk punon më aty dhe se ekziston një adresë e re.
Andaj, gjykatësja Ismajli me vendim e ka obliguar përfaqësuesin e paditësve, avokatin Musa Dragusha që brenda afatit prej shtatë ditëve të sjell në gjykatë adresën e re të të paditurës.
Tutje, gjykatësja Ismajli e ka njoftuar përfaqësuesin e paditësve se në rast se padia nuk plotësohet me adresë të re të palës së paditur, gjykata do ta konsideroj padinë e paditësve të tërhequr, si dhe në rast se përsëri adresa është jo e saktë padia do të hedhet poshtë si e palejuar.
Seanca e radhës në këtë rast, pritet të mbahet pasi që gjykata ta pranojë adresën e re të palës së paditur.
Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 22 maj 2014, nëntë paditësit po kërkojnë nga e paditura gazeta “Bota sot”, kompensimin e pagave të pa paguara, si dhe kamatën ligjore prej 8%.
Në padi thuhet se, paditësit me vite me radhë kanë qenë të punësuar te gazeta “Bota sot”.
Sipas padisë, paditësit Bajrush Morina e paditura për punën gjatë periudhës 2007 – 2013 nuk i’a ka paguar 13 paga, e që sipas padisë, e paditura i’a ka borxh paditësit shumën prej 9,000.00 euro.
Tutje, paditëses Lirie Hajdari e paditura për punën gjatë periudhës 2000 – 2013 nuk i’a ka paguara 12 paga, e që sipas padisë e paditura të njëjtës i’a ka borxh 5,500.00 euro.
Ndërsa, paditëses Shqipe Osmani për punën gjatë periudhës 2007 – 2013 e paditura nuk i’a ka paguar 11 paga, e që sipas padisë e paditura të njëjtës i’a ka borxh 3,600.00 euro.
Kurse, paditësit Ismail Shabani e paditura për punë gjatë periudhës 2007 – 2012 nuk ia ka paguara tetë paga, e që sipas padisë e paditura paditësit i’a ka borxh 3,600.00 euro.
Tutje, sipas padisë paditësit Avdi Gashi për punën gjatë periudhës 2004 – 20013 e paditura nuk i’a ka paguar 18 paga, e që sipas padisë e paditura paditësit i’a ka borxh 5,500.00 euro.
Gjithashtu në padi thuhet se, paditëses Albulena Nezitri për periudhën 2010 – 2013 e paditura nuk i’a ka paguar katër paga, e që sipas padisë e paditura paditëses i’a ka borxh 2,250.00 euro.
Po ashtu sipas padisë, paditësit Hasan Hasanramaj për punën gjatë periudhës 2008 – 2013 e paditura nuk i’a ka paguar 44 paga, e që sipas padisë e paditura paditësit i’a ka borxh 13,200.00 euro.
Bazuar në padi, paditësit Besim Toska për punën e tij gjatë periudhës 2012 – 2014 e paditura nuk i’a ka paguar tri paga e gjysmë, e që sipas padisë e paditura paditësit i’a ka borxh 1,350.00 euro.
Po ashtu sipas padisë, paditësit Nezir Mazreku për punën gjatë vitit 2013 e paditura nuk i’a ka paguar pesë paga, e që sipas padisë e paditura paditësit i’a ka borxh 2,500.00 euro.
Në padi thuhet se, pas ankesës së parashtruar nga paditësit në Inspektorati i Punës, e njëjta me vendimin e datës 25 mars 2014 e kishte vërtetuar si të bazuar ankesa e tyre, por që e paditura nuk ka vepruar sipas këtij vendimi dhe paditësve nuk i’u kishte paguara pagat për punën e tyre.
Prandaj, me anën e kësaj padie, paditësit po kërkojnë nga gjykata që kërkesa e tyre të aprovohet si e bazuara dhe të detyrohet gazeta “Bota sot”, që paditësve të i’u kompensojë pagat e pa paguara, dhe atë me kamat ligjore prej 8%.







