Punëtorët e QKUK-së anulojnë protestën e paraparë për të mërkurën

Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së ka njoftuar të martën, se e ka anuluar mbajtjen e protestës së paralajmëruar për ditën e mërkurë.

Sipas kësaj shoqate, e mërkura do të jetë ditë normale dhe e rregullt e punës.

Arsyetimi i shoqatës për anulimin e protestës është se nuk ka kapacitet juridik që t’i parashtrojë kërkesa qeverisë.

”Njoftojmë edhe anëtarësinë dhe opinionin publik që shoqata sindikale nuk ka kapacitet juridik që të parashtroj kërkesa qeverive, pasi partner social e kanë punëdhënësin apo ndërmarrjen ku veprojnë shoqatat sindikale, andaj thirrja për protestë në këtë rast nuk do ketë ndonjë efekt pozitiv apo ndikim, përveç benefiteve personale dhe klanore”, thuhet në njoftim.

Kjo shoqatë para disa ditësh paralajmëroi protestë dhe kërkesat ishin për rritje pagash për 50 për qind deri në implementim të Ligjit të Pagave, rritje e investimeve në shëndetësi për përmirësimin e kushteve, të punës dhe ngritjen e cilësisë së shërbimit si dhe miratim i Ligjit të Pagave dhe implementimi i tij nga janari 2023.