Shtesa

Punëtorët e marketeve, barnatoreve e furrëtarët nuk i marrin 100 euro shtesë, shteti u vendos tatim dhe i marrin 85

Punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave të bukës dhe barnatoreve, të cilët ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorin, kanë filluar t’i marrin bonuset nga Qeveria. Por, ato i janë nënshtruar tatimit. Ata kanë marrë nga 85 euro në vend të 100 eurove.

Njësoj janë tatuar edhe shtesat për mjekët, policët, zjarrfikësit, inspektorët, personeli i FSK-së i angazhuar në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, të cilët kanë punuar në terren dhe u janë ekspozuar drejtpërdrejt rrezikut të infektimit në punën e tyre. Ata kanë përfituar nga 300 euro shtesë, por në kontot e tyre kanë dalë nga 250 euro.

Sipas pakos emergjente fiskale, pagesa shtesë në vlerë prej 100 eurosh për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve vlen për pagat e muajve mars dhe prill, por ekzekutimi i tyre ka filluar tani në fund të muajit maj. Për të përfituar nga kjo masë kanë aplikuar 15 mijë e 491 punëtorë. Për këtë masë janë paraparë 3 milionë euro, shkruan KOHA.

Por, jo të gjithë punëtorët e dyqaneve, furrave dhe barnatoreve do të përfitojnë nga kjo masë. Pasi që ajo është e kufizuar në kushtin që punëtori të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me konsumatorin gjatë punës së bërë.

Sa i përket sektorit publik, më 29 prill, është bërë ekzekutimi i pagesës së shtesës mbi pagën prej 300 eurosh bruto, gjegjësisht implementimi i masës 6 të pakos emergjente fiskale.

Kjo masë përfshin të gjithë ata punëtorë të cilët me vendime të Qeverisë ose ministrave kanë qenë të detyruar të punojnë në terren dhe të jenë të ekspozuar direkt ndaj rrezikut për infektim me COVID-19.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, pagesa e shtesës mbi pagë është bërë për 21.518 punëtorë në vlerë total prej 6.752.119 eurosh. Këta 21.518 punëtorë janë të punësuarit e sektorit publik, pra mjekët, infermierët, inspektorët, zjarrfikësit, policët dhe punonjësit e tjerë që kanë plotësuar kriteret sipas masës 6 të pakos.