Punëtorët e aeroportit sot sërish në grevë

Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot prej orës 08:00 do të mbajnë grevë dy orëshe ashtu siç e kanë paralajmëruar ditë më parë, si vijimësi e veprimeve të tyre deri në plotësimin e kërkesave.

Të njëjtit kanë mbajtur grevë edhe gjatë ditës së djeshme e që krijoi tollovi të madhe dhe vonesa disa orëshe edhe tek qytetarët që po prisnin për të udhëtuar.Punëtorët përmes këtyre grevave po kërkojnë kompensim dhe benificione të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesën e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas ligjit të punës dhe pagesën e shujtës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Bashkim Latifi duke e quajtur të suksesshme grevën e djeshme, i ka quajtur normale edhe tollovit e shkaktuara në aeroport.

Ai tha se nëse nuk reflekton menaxhmenti greva do të vazhdojë gjithë ditore gjatë ditës së mërkurë.Në anën tjetër tollovinë e shkaktuar dhe vonesat e shumta në fluturime i ka arsyetuar zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, e cila tha se këto vonesa kanë ndodhur pasi që njëri nga grevistët ilegalisht e ka ndërprerë shiritin e valixheve.

loading…