Në Metro...

Punëdhënësit në Japoni, gjithnjë e më shumë në kërkim të efikasitetit

Nga dhomëza të vogla për një person të vetëm, në stacionet e metrosë, e deri në tenda kampingu nën qiellgërvishtësit e pafund, apo klubet e karaokeve…

Në Japoninë që nuk ndalet asnjëherë, rrogëtarëve nuk iu mungon asnjëherë një vend për të punuar. Ambientet e pazakonta të punës po shfaqen kudo në Japoni, ndërsa kompanitë përpiqen të nxjerrin punonjësit e tyre nga tryezat e zakonshme, për t’i vendosur në ambiente ku ata mund të bëhen më produktivë.

Mund të punosh duke mbajtur në prehër laptopin, i ulur mbi një jastëk, në një kamp me tenda që të mbrojnë edhe nga dielli përvëlues, rrethuar nga ndërtesa të larta me fasada xhami. Këto “zyra” po rezultojnë një hit i vërtetë.

“Kur jemi në zyrë, jemi të predispozuar dhe të fiksuar pas ideve stereotipe. Kur jemi në ajër të hapur, gjithçka ndryshon”, thotë një i punësuar japonez.

Larg zyrës së zakonshme dhe monotone është edhe një dhomë që ofrohet nga operatori më i madh i karaokes në Japoni. Ajo mund të rezervohet për 600 jenë për orë, ose 5.3 dollarë. Folësit e ndrojtur para publikut mund të praktikojnë atje prezantimet e biznesit.

Të tjera kompani kanë instaluar ato që quhen “zyra satelit” në stacionet kryesore të metrosë. Zyrat bardhezi janë të pajisura me një tryezë dhe një karrige, kanë “Wi-Fi” dhe një ekran kompjuterik, e mund të rezervohen “online”.

Ndryshe nga sa ndodh në shumë qytete të mëdha, udhëtarët në Japoninë jashtëzakonisht të sjellshme, rrallë përdorin telefonat e tyre celularë, për të evituar shqetësimin e të tjerëve, e këto zyra të vogla janë një mundësi për të bërë një telefonatë pune, pa hezitim.

https://www.youtube.com/watch?v=AsjZY2fMvYI