Global Firepower

Publikohet lista e ushtrive më të forta në botë, Kosova shënon ngritje për 5 vende

Faqja e internetit Global Firepower publikon çdo vit një renditje të forcave të armatosura kombëtare, nga më e forta tek më e dobëta. Gjatë vlerësimit merren parasysh faktorë të tillë si sasia e pajisjeve ushtarake dhe ushtarëve të çdo vendi, si dhe gjendja e tyre financiare, kapacitetet logjistike dhe kushtet gjeografike, ndër të tjera.

SHBA-të kanë ushtrinë më të fuqishme në botë, ndërsa Kosova ka arritur ngritje dhe pozicionohet në vendin e 134-të, transmeton Ballkani.info.

Vitin e kaluar Ushtria e Kosovës ishte renditur e 139-ta, pra vendi ynë ka përparuar për 5 pozita.

Sipas krahasimit të vendeve evropiane, Kosova në mesin e 37 shteteve, renditet e 35-ta, para Islandës dhe Moladavisë.

Bazuar në faktorët e listuar më sipër, krijohet një vlerësim “Indeksi i Fuqisë”, ku një vlerësim më i ulët tregon një ushtri më të fortë.

Në rishikimin e Global Firepower për vitin 2023, merren parasysh gjithsej 145 fuqi botërore.

Në këtë listë Bosnja dhe Hercegovina është në pozitën e 133-të, vetëm një vend më lartë se Kosova, Shqipëria zë vendin e 91-të, Kroacia në vendin e 69-të, Mali i Zi në vendin e 128-të dhe Serbia e 58-ta. Maqedonia e Veriut zë vendin e 108-të.

SHBA ka ushtrinë më të fortë

Dhjetë vendet e para, sipas më të fuqishmeve, janë SHBA, Rusia, Kina, India, Mbretëria e Bashkuar, Koreja e Jugut, Pakistani, Japonia, Franca dhe Italia.

Global Firepower tha se SHBA zuri vendin e parë sepse “tregon numrat më të mirë në kategoritë kryesore të materialeve, financiare dhe burimeve”, shkruan Ballkani.info.

Shtetet e Bashkuara, të cilave u është caktuar një rezultat PowerIndex prej 0.0712, kryesojnë botën në teknologji, thekson raporti, dhe janë të avancuara në sektorët kryesorë të mjekësisë, hapësirës ajrore dhe telekomunikacionit, duke ruajtur një avantazh në disa tregje të mëdha industriale, “duke lejuar një nivel të caktuar të vetëqëndrueshmërisë”.

Me 92 shkatërrues, 11 aeroplanmbajtëse, 13,300 aeroplanë dhe 983 helikopterë luftarakë, sipas të dhënave nga prilli 2023, vendi u rendit i pari në shumë fusha, duke përfshirë madhësinë e flotës së tij të aeroplanëve, numrin e anijeve luftarake dhe forcën e flotës së tij të transportit. Gjithashtu, SHBA ka buxhetin më të madh të mbrojtjes prej 761.7 miliardë dollarë, që është pothuajse tre herë më shumë se Kina, e cila është në vendin e dytë me një buxhet të mbrojtjes prej 230 miliardë dollarësh, shkruan Business Insider për ushtrinë amerikane, e cila vlerësohet si më e fuqishmja në botë. /Ballkani.info/