Publikohet fotografi e rrallë e gjyshërve të Rita Orës dhe Dua Lipës së bashku

Historia e këngëtareve shqiptare me famë botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, është tepër e ngjashme.

Familjet e tyre kanë prejardhje nga i njëjti qytet në Kosovë, Peja, dhe familjet e të dyjave janë larguar në vitet e 90-ta në Angli kur ato ishin shumë të vogla.

Rastësi është që edhe në Londër, ato vijuan mësimet në të njëjtën shkollë, “Sylvia Young Theatre School”.

Por mesa duket përveç prejardhjes dhe famës ndërkombëtare ka edhe diçka tjetër që i lidh mes vete dy bukuroshet nga Kosova.

Megjithëse përflitet për një raport shumë të ftohur dhe jo miqësor me njëra-tjetrën, Dua Lipa dhe Rita Ora kanë pasur njohje familjarë më herët.

Më saktësisht ishin gjyshërit e tyre, Seit Lipa dhe Besim Sahatçiu – dy figura të njohura në atë kohë, të cilët ishin miq të mirë mes vete.

Seit Lipa ishte drejtor i Institutit të Historisë në Kosovës, ndërsa Besimi ishte regjisor i njohur në Kosovë dhe gjithë Ish-Jugosllavinë në atë kohë. Ai mbahet mend si regjisor i filmit shumë të suksesshëm, “Era dhe Lisi”.

Një fotografi e rrallë e publikuar së fundmi në faqen në Albanian Vintage, tregon një moment kur dy gjyshërit e artisteve me famë botërore, qëndronin në të njëjtën tryezë.

“Gjyshi i Dua Lipës, dhe gjyshi i Rita Orës (Seit Lipa dhe Besim Sahatçiu) rreth viteve të 50-ta”, shkruhej në mbishkrimin e fotografisë, e cila tregonte për raportet e mira miqësore që kishin aso kohe dy figurat e njohura shqiptare.

Rita Ora dhe Dua Lipa nuk e ndjekin njëra-tjetrën në rrjetet sociale dhe kanë shmangur thuajse çdo takim mes vete në ngjarjet e përbashkëta në botën e showbizit, por në intervistat e dhëna në vizitat e tyre në Kosovë, dy këngëtaret kanë folur mirë për njëra-tjetrën.