PSHDK-ja e ndarë, kryetari zyrtar me AAK-në e ilegali me VV-në

Përplasja në Partinë Shqiptare Demokristiane të Kosovës ka përfshirë edhe dy parti të mëdha politike në Kosovë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Teksa kryetari zyrtar i PSHDK-së të enjten zyrtarizoi marrëveshjen për përfshirje në listën e AAK-së, “kryetari” që nuk njihet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten u takua me liderin e VV-së, Albin Kurti.

Dy palët kishin pasur kontest në tetor të vitit të shkuar. Të dy kishin mbajtur kuvendet zgjedhore, ndërsa në zgjidhjen që bëri KQZ-ja për këtë çështje kryetar u zyrtarizua Zef Morina. Për këtë ka njoftuar edhe vet Morina dhe PSHDK-ja.

Të enjten, Morina nënshkroi marrëveshjen me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie, për zgjedhjet e 14 shkurtit. Pala tjetër e PSHDK-së e cilësoi këtë si veprim të ndërmarrë nga “një i përjashtuar nga PSHDK-ja”.

Një ditë më pas, Ukë Berisha, që u zgjodh kryetar nga kuvendi të cilin nuk e njeh KQZ-ja, është takuar me kryetarin e VV-së, Albin Kurti. Nga takimi që patën, Kurti njoftoi se anëtari i Demokristianëve, Arion Thaçi, do të jetë pjesë e listës garuese të VV-së në garën e shkurtit.

“Arion Thaqi është i lindur në Prishtinë në vitin 1982, dhe, ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës. Më pas vijoi studimet në Romë të Italisë në Sapienza Universita Di Roma duke specializuar në degën planifikim, menaxhim e projektim të objekteve spitalore dhe shëndetësore. Që nga viti 2007, Aroni punon si arkitekt në projekte e bashkëpunime me kompani të ndryshme. Arioni është kryetar i demokristianëve të rinj të Kosovës. U takuam bashkë edhe me kryetarin e subjektit, Dr. Ukë Berisha. Arion Thaqi do të jetë në listën garuese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për deputet të ardhshëm në legjislaturën e tetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.