PSG refuzon ofertën e parë të Barcelonës për Neymarin

Paris Saint-Germain e ka refuzuar ofertën e parë të Barcelonës për Neymarin, në një takim ku bisedimet ishin udhëhequr nga presidenti i Barçës, Josep Bartomeu, raportojnë mediat franceze.

Barcelona është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për ta kthyer sulmuesin brazilian në klub, që prej momentit kur para pak javës presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, sugjeroi se klubi i tij do të ishte i hapur për ta shitur Neymarin.

Sipas gazetës së përditshme franceze Le Parisien, Barça tashmë e ka komunikuar kampionin francez për ta negociuar kthimin e Neymarit këtë verë. Edhe vetë lojtari brazilian thuhet të jetë në favor të kthimit në Camp Nou.

Megjithatë, PSG-ja e ka refuzuar propozimin e gjigantit katalonas në bisedimet formale që ishin mbajtur mes përfaqësuesve të të dy palëve. Nuk është bërë e ditur se cila ka qenë oferta e Barçës saktësisht.

Neymar iu bashkua PSG-së verën e vitit 2017 nga kampioni spanjoll për një shumë rekord botëror tash e asaj dite, 222 milionë euro.

Besohet se PSG-ja nuk do ta lërë 27-vjeçarin të largohet për më pak se 200 milionë euro.