Kampioni i Ligue 1

PSG probleme me fair play financiar, gati të sakrifikojë njërin mes Neymarit dhe Mbappes

Një lajm tronditës vjen nga Franca, në lidhje me Paris Saint-Germain. Dhe nëse është e vërtetë, do të ndizte merkaton e klubeve më të mëdha të Europës.

Sipas L’Equipe, skuadra kryeqytetase mund të jetë e detyruar të shesë një prej yjeve të saj, Neymar ose Mbappé, për të rregulluar bilancin në lidhje me fair play financiar.

E përditshmja franceze, shtoi gjithashtu se shitja e talentit 19-vjeçar do t’i siguronte më shumë të ardhura parizienëve. Por gjithsesi ekipi do të ishte më i predispozuar për të shitur Neymar, për të cilin po përflitet një rikthim tek Barcelona, ose një transferim në Premier League, ku nuk mungon interesimi i Manchester United.

Nuk ka asnjë vendim përfundimtar në lidhje me këtë çështje, pasi fillimisht duhet të priten masat që do të marrë UEFA për shkeljen e fair play financiar, vendim i cili pritet të merret javën e ardhshme.

Pas këtij lajmi shokues, nuk ka vonuar përgjigja e PSG me një komunikatë zyrtare, duke përgënjështruar çdo gjë të shkruajtur nga “L’Equipe”, duke akuzuar gazetën për mungesë të profesionalizmit dhe ndershmërisë.

Ditët e fundit, përveç skuadrës së Tuchel, edhe Manchester City është përfolur për një përjashtim nga kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm, për shkak të thyerjes së rregullave të FFP.

Gjithsesi, mbetet për t’u parë se cilat do të jenë vendimet e UEFA-s në lidhje me këto dy ekipe, që mund të shkaktojnë tronditje në botën e futbollit.