Pse Veseli u kërkon komunave të veprojnë për lirimin e pronave nga uzurpatorët?

Sot pasdite, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bëri një postim në faqen e tij në Facebook lidhur me vizitën që i ka bërë një investitori të diasporës i cili për vite me radhë nuk kishte pasur mundësi të gëzonte pronën që kishte privatizuar si pasojë e uzurpatorëve.

Në janar të vitit 2016 Veseli mori iniciativën për lirimin e qindra pronave të uzurpuara që ishin në listën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Tre prej atyre pronave ishin privatizuar nga investitori Naser Januzi, një biznesmen që ka jetuar në Gjermani.

Pasi janë çliruar pronat e uzurpuara që ishin në regjistrin e nivelit qendror, në postimin e tij Kadri Veseli kërkon që edhe komunat e Kosovës ta ndjekin shembullin e tij dhe të çlirojnë pronat e uzurpuara që janë në pronësi të tyre.

Prandaj, ai u ka bërë thirrje komunave që të tregojnë përgjegjësi dhe të marrin hapa serioze për të çliruar pronat e uzurpuara.

Në krye të komunave me numrin më të lartë të pronave të uzurpuara qëndron edhe komuna me ë madhe në vend – Prishtina. Bazuar në dokumentin për listën e pronave të kësaj komune, nga gjithsej 6183 prona të regjistruara në kadastër, 2900 prej tyre shfrytëzohen pa kontratë, ndërsa vetëm 723 prona të komunës së Prishtinës shfrytëzohen me kontratë.

Ndërkohë që 2560 prona tjera nuk tregohet nëse shfrytëzohen me apo pa kontratë, që lë të kuptohet që mbahen të uzurpuara nga pronarë të paligjshëm që nuk paguajnë asgjë për shfrytëzimin e këtyre pronave publike.

Problemi është masiv dhe i rëndë edhe në komuna të tjera. Kështu për shembull, komuna e Gjilanit publikoi në qershor të këtij viti një listë prej 80 uzurpatorëve të pronës publike që I është dorëzuar prokurorisë, por që ende nuk është marrë ndonjë masë. Drenasi në fillim të korrikut të këtij viti ka marrë vendim për lirimin e 14 pronave publike komunale të uzurpuara.

Situata është veçanërisht e rëndë në Pejë ku dy vjet më parë drejtori për Çështje Juridike dhe Pronësore i komunës, Edmond Shala, deklaronte se 90 për qind të pronave komunale në qytetin e Pejës janë të uzurpuara. Në rastin e Rahovecit grupi punues i Komunës i përkrahur nga projekti zviceran ”DEMOS” ka raportuar për 39 uzurpime në qytet dhe 15 hektarë tokë të uzurpuar në fshat.

Prizreni ka po ashtu qindra prona të uzurpuara dhe për herë të parë në tetor të vitit të kaluar Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur 27 aktakuza kundër 27 personave për rastet e uzurpimit të pronës së Hekurudhës në këtë komunë. Mirëpo kjo iniciativë e lirimit të pronave të uzurpuara nuk është ndërmarrë nga komuna, por ka ardhur sipas pranimit të 51 kallëzimeve penale nga Kompania për Menaxhim të Infrastrukturës Hekurudhore – “INFRAKOS SH.A”.

loading…