KRU “Prishtina”

Pse u rrit mangani në Liqenin e Badovcit dhe kur pritet të stabilizohet gjendja, flasin nga KRU “Prishtina”

Situata e ujit të pijes nga Badovci nuk është shqetësuese, në të kundërtën furnizimi me ujë do të ndërpritej në tërësi, ka thënë zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.

Në një deklaratë për teve1.info, Mjeku ka thënë se në këtë impiant është zvogëluar trajtimi i ujit të pijes nga 100% në 35%.

“Kompania rajonale e ujësjellësit Prishtina respektivisht departamenti i cilësisë së ujit së bashku më IKSHPK-në janë duke e monitoruar cilësinë e ujit të pijshëm me theks të veçantë liqenin e Badovcit, pikërisht për këtë arsyeje ne e kemi zvogëluar edhe trajtimin e ujit nga ky impiant nga 100% në 35% dhe më këtë rast ne e kemi njoftuar qytetarët se e kemi zvogëluar prodhimin e ujit. Situata nuk është alarmante as shqetësuese, kemi rritje të sasisë së manganit në Liqenin e Badocit, kjo është një dukuri natyrore që ndodh në stinën e vjeshtës, kur temperaturat ndryshojnë nga nata në ditë, nata është mjaft e ftoftë, ndërsa dita është me e nxehtë. Pra rritet edhe niveli i sasisë së manganit, theksoi Mjeku.

Sipas zëdhënëses se KRU “Prishtina”, gjendja e ujit në Liqenin e Badovcit është duke u monitoruar vazhdimisht, ndërsa shtoi se kjo është dukuri natyrore dhe nuk mund të dihet deri kur do zgjasë kjo situatë.

“Është mirë që qytetarët të mos konsumojnë atë ujë, jo që është rrezik, mirëpo është më mirë që të jemi të kujdesshëm deri në stabilizimin e situatës, derisa të dalë IKSHPK-ja me njoftimin e radhës. Ne kemi dërguar autobot. Nga ora 09:00 kemi autobot në Graçanicë, Hajvali por po mundohemi që të dërgojmë edhe në zonat e tjera. Derisa të këtë ulje të nivelit të manganit në Liqenin e Badocit atëherë do të mbetet kjo gjendje, por shpresojmë që shumë shpejtë të stabilizohet”, u shpreh Mjeku.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar një ditë më parë se në liqenin e Badocit kanë bërë analizat fiziko-kimike të mostrave të ujit dhe kanë rezultuar se ka vlera të rritura të manganit.

IKSHPK-ja u ka apeluar qytetarëve që të mos përdorin uji për pije dhe përgatitje të ushqimit deri në njoftimin e radhës.