Pse s’po ia kthen Mustafa – Kurtit përgjigjen për takimin e radhës?

As sot nuk pritet të mbahet takim në nivel kryetarësh të partive mes LDK-së e VV-së.

Isa Mustafa e Albin Kurti, takimin e fundit për nënshkrimin e marrëveshjes e patën para 10 ditësh, mirëpo që përfundoi pa ndonjë rezultat, shkruan lajmi.net.

“Mollë sherri” mes dy partive po bëhet posti i presidentit, të cilin me ngulm po e kërkon LDK, teksa nga Vetëvendosje po refuzohet një marrëveshje ku përfshihet edhe ky post.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, para disa ditësh kishte thënë se presin nga Vetëvendosje të thërrasin takimin e rradhës, për ta çuar deri në fund marrëveshjen që u siguron atyre mandatin në Qeveri.

Përgjigja nuk kishte munguar nga Vetëvendosje. Lideri i saj, Albin Kurti i kishte dërguar letër kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa për takimin e rradhës në këtë kuadër.

Mirëpo, kanë kaluar pesë ditë që nga konfirmimi se Kurti ka lëvizur në aspektin e inicimit të një takimi, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Për lajmi.net, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka ka thënë se ende nuk ka diçka të caktuar në këtë aspekt.

“Ende nuk ka diçka të caktuar në këtë aspekt”, ka thënë shkurt Manxhuka për lajmi.net.

Teksa po hymë në ditën e 10-të pa takim mes VV-së e LDK-së, presidenti Thaçi dje paralajmëroi thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

LDK e VV paraprakisht ishin njoftuar se në Qeverinë e tyre do të jenë vetëm 12 ministri dhe nga dy zëvendësministra.

Po ashtu këto dy parti kishin arritur pajtueshmëri të plotë për programin qeverisës.