Pse sipas Krasniqit, duhet hequr mundësia e votimit me kusht

Njohësi i çështjeve zgjedhore, Albert Krasniqi, përmes një sqarimi në Facebook ka treguar se pse duhet menduar heqja e mundësisë së votimit me kusht.

Ai thotë se sistemi zgjedhor në Kosovë ofron votimin me kusht, që nënkupton mundësinë për të votuar në një lokacion tjetër nga ai i vendvotimit përkatës.

Por ky votim me kusht, sipas Krasniqit, rrit koston e zgjedhjeve dhe mundësinë për manipulim.

“Në tri palë zgjedhjet e fundit parlamentare, mbi 3% e votuesve e kanë shfrytëzuar votimin me kusht. Një numër i fletëvotimeve me kusht refuzohen pasi votuesi del të ketë votuar më shumë se një herë ose nuk ka qenë në listën e votuesve”, ka shkruar ai.

Tash e sa vite, shkruan tutje Krasniqi, KQZ ofron mundësi shumë të lehtë që Online të kuptoni se në cilin vendvotim mund të votoni si dhe të ndryshoni vendvotimin nëse nuk është i përshtatshëm për ju në ditën e zgjedhjeve.

“Kjo mënyrë e votimit është edhe një prej shkaktarëve që ndikon në vonesën e shpalljes së rezultateve, rrit koston e zgjedhjeve, si dhe është mundësi për manipulim. Prandaj, duhet seriozisht të mendohet heqja e mundësisë për votim me kusht”, ka shkruar Krasniqi.

E në anën tjetër, manipulime po bëhen në zgjedhje edhe me rinumërim votash. Ky fenomen që po ashtu ndodh çdo palë zgjedhje në Kosovë.

Sipas analistit Artan Muhaxhiri, rinumërimi i votave në Kosovë është shndërruar në instrumentin më të fuqishëm për luftimin e tendencës së deformimit të vullnetit zgjedhor nga komisionerët e korruptuar.

Gjithashtu, edhe Krasniqi dje gjatë ditës, përmes një grafike tregoi se trendi i rinumërimit të votave në Kosovë është në rritje. Në zgjedhjet e vitit 2014 ishin rinumëruar 19.59 për qind të vendvotimeve, ndërsa në të fundit kjo ka arritur në 33.14.

loading…