“Pse po rrin ti këtu, me doktorua, pse po i dëgjon bisedat” – gazetari pengohet nga asistentja e Zemajt

Gazetari i gazetës “Shneta”, Bujar Vitija është penguar gjatë punës së tij nga Liridona Lluka, përfaqësuesja e ministrit të shëndetësisë, Armend Zemaj.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Vitija ka shkruar se pengimi i tij ka ndodhur gjatë qëndrimit të tij me disa mjekë në pritje të ministrit.

“Sot u përballa me nje ngjarje te turpshme nga një përfaqësuese e Kabinetit te ministrit Zemaj, Liridona Lluka. Derisa isha duke ndejt me disa mjeke ne pritje te ministrit, zonja ne fjale beri një përpjekje për te me penguar ne pune dhe ne raportet e mia me doktorët”, ka shkruar Vitija.

“Pse po rrin ti ketu me doktora…pse po i ndegjon bisedat”, ka treguar fjalët të cilat ia ka thënë zyrtarja e ministrit Zemaj.

Gazetari Vitija e ka cilësuar të ulët ndërhyrjen që i ka bërë zyrtarja e ministrit Zemaj.

“Ishte një ndërhyrje e ulet dhe e turpshme nga një zyrtare politike, e aq me tepër kur e mendon qe e njejta ka punuar si gazetare. Kaq per nivelin e njerëzve qe po udhëheqin shendetesine ne kohe pandemie. E di qe jam i padeshirushem per juve, ama nuk e kam ndërmend me u ndal”, ka shkruar Vitija.