Lituania është vendi i fundit që njofton se ka shkatërruar një rrjet të spiunëve në tokën e saj. Pretendimi se dy qytetarë po spiunonin për Rusinë, vjen disa javë pasi autoritetet holandeze kapën një tjetër rrjet spiunazhi të Kremlinit.
Kanë qenë disa muaj jo të qetë për operacionet e spiunazhit të presidentit rus Vladimir Putin, i cili vazhdon të kapet në flagrancë.
Është e paqartë nëse ky varg i arrestimeve të fundit, “hedhin në erë” misionet e jashtme të Rusisë dhe është thjesht një rastësi, apo nëse ka pasur një lloj dekonspirimi nga brenda agjencive famëkeqe të inteligjencës ruse.
“Ka një lloj depërtimi. Pavarësisht nëse ky depërtim është relativisht i ri apo i vjetër, nuk e di, por duket se u mor një vendim i duhur për ta përdorur atë, pra për të ngadalësuar operacionet ruse”, tha për Daily Beast, Andrei Soldatov, një nga gjurmuesit më të informuar rus të agjencive të sigurisë.
Deri tani, zbulimi më i madh i një operacioni të fundit rus jashtë vendit, ishte sulmi masiv kibernetikë kundër qeverisë amerikane dhe ueb faqeve të disa kompanive, i zbuluar në muajin dhjetor të 2020-së.
Ky sulm kibernetikë u raportua për herë të parë nga firma e sigurisë kompjuterike FireEye, e cila ishte prekur nga kjo ndërhyrje.
Hakerët rusë hynë në rrjetet e agjencive kryesore të qeverisë amerikane, duke përfshirë Departamentin e Tregtisë, atë të Thesarit dhe Sigurisë Kombëtare, si dhe kompani të shumta të Fortune 500. Ndërhyrja ndodhi në muajin shkurt të 2020-së, ku një virus/malware ishte në softuerin e prodhuar nga firma teknologjike SolarWinds.
Michael Daniel, i cili ishte koordinator i strategjisë për siguri kibernetike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në administratën e presidentit Barack Obama, tha se kjo është prova që tregtia operacionale e Rusisë ishte “maja e përvijimit”, por ai e bëri të ditur se kjo ishte një goditje për ta që të kuptonin se si u zbulua ndërhyrja.
“Operacioni u zhvillua për nëntë muaj para se të zbulohej, por është e mundur që ata shpresonin se kjo do të zgjaste më shumë”, tha Daniel, i cili aktualisht është drejtor ekzekutiv i Aleancës së Kërcënimeve Kibernetike.
Megjithëse autoritetet amerikane nuk e fajësojnë zyrtarisht Rusinë si burimi “i mundshëm” i sulmit kibernetikë, pothuajse një muaj pasi u hap lajmi, gazetarët dhe ekspertët kibernetikë, sulmin ia atribuuan Shërbimit të Jashtëm rus të Inteligjencës (SVR), ku operon një grup i hakerëve i quajtur “Ariu i qetë” ose APT 29.
Por fama për suksesin e SVR-së është e tejkaluar. Sulmi do të kishte qenë një përpjekje e përbashkët me Shërbimin e Brendshëm rus të Inteligjencës (FSB), e cila ka aftësi kibernetike shumë më të frikshme sesa SVR-ja.
“Cozy Bear” apo “Ariu i qetë” ka qenë i implikuar në incidente të shumta të mëparshme të piraterisë dhe është gjithashtu i lidhur me FSB-në, ku ka kryer operacione kibernetike agresive kundër Perëndimit për vite me radhë.







