Pse meshkujt nuk kanë celulit?

Sipas studimeve të ekspertëve, 80%-90% e grave përjetojnë celulit në një moment ose në një tjetër. Celuliti mund të jetë i pranishëm në trupat e burrave dhe grave, por është më i zakonshëm te femrat. Arsyeja?

Struktura e kolagjenit, proteina kryesore e indit lidhor, te femrat ka pamjen e një gardhi, kunjat e të cilit vijnë njëra pas tjetrës, ndërsa te meshkujt, ka një strukturë më të ndërlidhur. Kjo e fundit, e mban dhjamin më mirë.

Po kështu, hormonet kanë shumë të ngjarë të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e celulitit. Estrogjeni, insulina, noradrenalina, hormonet tiroide dhe prolaktina janë pjesë e procesit të prodhimit të celulitit. Estrogjeni (hormoni femëror) krijon yndyrë, ndërsa testosteroni (hormoni mashkullor) e zbërthen yndyrën.

Kur një grua është në menopauzë, reduktohen nivelet e estrogjenit dhe rrjedhja e gjakut në indin lidhës nën lëkurë. Kjo ul prodhimin e kolagjenit dhe qelizat dhjamore zmadhohen. Të gjithë këta faktorë i bëjnë depozitat e dhjamit më të dukshme.