Dialogu

“Pse Kosova u konfrontua me SHBA-të për marrëveshjen të cilën e konsideron si të mirë?”    

Pas disa muajsh mohime nga më të ndryshmet, më në fund, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pranoi se me Marrëveshjen Bazë të arritur në Bruksel dhe Aneksin në Ohër, Kosova ka pranuar ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sipas Marrëveshjes së vitit 2013 dhe në këmbim ta marrë njohjen de facto nga Serbia.

Për analistin politik, Agon Maliqi, në rrethanat aktuale ky është “deal-i” më i mirë i mundshëm dhe për këtë kryeparlametari meriton respekt për guximin për ta pranuar këtë publikisht.

Por, gjithë në këtë mes, sipas Maliqit, ka një problem.

Pse Kosova pasi e konsideronte një Marrëveshje të tillë si “deal” të mirë gjatë rrugës së pranimit dhe zbatimit të saj hapi një front konfrontimi me SHBA-të, e cila u ofrua si garantuese e këtij “deal-i”, pyet Maliqi.

“Çfarë u mendua se do të fitohej me qasjen ndaj Veriut që binte ndesh me interesat e NATO-s, e që tash po na kthehet bumerang? Kush brenda VV-së i fryu dhe po i fryn mosbesimit në aktorët e vetëm që mund ta zbatojnë këtë ‘deal’ të mirë? Kjo kontadiktë duhet zgjidhur, sepse të thuash se diçka është e mirë dhe të punosh kundër saj nuk shkon”.

Takimi i nëntë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi përfundoi pa sukses.

Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell për këtë dështim fajësoi Kosovën, ndërsa Serbinë e cilësoi si “palë konstruktive” e cila ishte e “gatshme të pranoi propozimin e Unionit”.

Një shpjegim ndryshe të rrjedhës së takimit e dha Kurti.

Sipas tij lehtësuesit e bisedimeve kanë filluar të operojnë sipas qëndrimeve të Serbisë meqë “kushtëzimi i vjetër i Beogradit” për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së, prandaj një gjë e tillë për të është e papranueshme.

Kurti, deklaroi pas takimit në Bruksel se i vetmi që shkoi me propozim të shkruar në tavolinë ishte ai, por një ditë më vonë Kurti u përgënjeshtrua kur mediat publikuan dokument-propozimin e shkruar të Bashkimit Evropian.