Pse iku Bolton, “armiku” i shqiptarëve që këshillonte Trump?

Ishte një nga zërat e fortë brenda Shtëpisë së Bardhë, por këtë të martë Presidenti Donald Trump njoftoi se i kishte kërkuar dorëheqjen këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, John Bolton. Ky i fundit reagoi menjëherë duke deklaruar se e kishte firmosur atë menjëherë.

Po kush ishte “njeriu hije” që pëshpëriste në veshin e Trump. Për shqiptarët do të kujtohet si njeriu i parë i rëndësishëm që gati 2 vjet më parë foli hapur për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duke lënë të hapur edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve.

“Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është e vetmja mënyrë për t’u hapur rrugën të dy vendeve për integrimin e ardhshëm në komunitetin e vendeve perëndimore. SHBA është e gatshme të ndihmojë dhe të mbështesë palët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme, të zbatueshme dhe që të rrisë stabilitetin”, – u shpreh Bolton që shtoi se Uashintoni ishte i gatshëm të pranonte “çdo lloj marrëveshje për të cilën do të binin dakord të dyja palët dhe që do të ishte e zbatueshme”. Kjo e ka bërë “të padëshiruar” për ata që ishin kundër ndryshimit të kufijve.

Bolton ka qenë edhe i akuzuar. Ai ka qenë një nga kundërshtarët e bombardimeve mbi Serbi në 1999-ën dhe kjo e ka bërë të shihet me sy jo të mirë në Prishtinë dhe Tiranë. Gjithsesi, politika amerikane ka qenë deri diku e qartë: “Konfliktet duhet të marrin fund edhe në Ballkan”.

Por pse iku Bolton?

Prej kohësh të besuarit e Trump brenda Shtëpisë së Bardhë po e shtynin Presidentin që ta nxirrte jashtë Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, John Bolton. Burimet i thanë CNN se Presidenti kishte marrë telefonata dhe kërkesa të shumta për të zëvendësuar Bolton me dikë që ishte dakord me të dhe që tregohej më shumë dhe ishte i gatshëm të ndiqte me vendimet e tij.

Gjithsesi Trump nuk është se i dëgjoi shumë këto zëra, por duket se brenda tij rritej zemërimi për kundërshtimet e këshilltarit të tij. Një zyrtar i lartë i administratës i tha CNN se Trump ishte irrituar gjithnjë e më tepër me Bolton gjatë muajve të fundit për deklaratat e tij për Iranin, Venezuelën dhe së fundmi për Afganistanin. Trump nuk besonte më se Bolton mund t’i bënte avokati axhendës së Presidentit, madje besonte se ai po dëmtonte besueshmërinë e tij.

“Pika që derdhi gotën” ishte mosmarrëveshja mes Trump dhe Bolton për marrëveshjen e Presidenti u kishte ofruar talebanëve në Afganistan të cilëve madje u kishte propozuar edhe një takim në bazën ushtarake “Camp David”. Mësohet se mes të dyve ka pasur një debat të fortë të shtunën e kaluar dhe Bolton nuk lëvizi nga qëndrimi i tij kundërshtues. Madje përplasja u kthye në institucionale pasi stafi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i udhëhequr nga Bolton nuk po u bindej rekomandimeve të pjesës tjetër të administratës së Shtëpisë së Bardhë.

“New York Times” zbulon në krahun tjetër të tjera përplasje mes Bolton dhe shefit të tij. Edhe pse këshilltari për sigurinë ishte besimpak për raportet me Korenë e Veriut, sërish Trump vijonte të “përkëdhelte” diktatorin Kim Jong-un që vijonte të refuzonte çmontimin e programit bërthamor.

Ditët e fundit, Trump kishte shprehur gatishmërinë për të takuar me Presidentin e Iranit, Hassan Rouhani nëse rrethanat ishin të duhura duke propozuar zgjatjen e financimit për Teheranin, por oferta deri tani është refuzuar.
Por përçarja mes presidentit dhe këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare nuk është aq politike sa dhe peronale.

“New York Times” shkruan se Trump nuk pati asnjëherë ngrohtësi për Bolton, një dinamikë që shpesh është fatale në prapaskenat e Shtëpisë së Bardhë. Kritikët e Bolton brenda administratës thonë se ai e irritoi presidentin duke minuar politikat e tij edhe pasi vendimet ishin marrë.

Por çfarë ndryshon me largimin e Bolton?

Në thelbin e saj, kjo përçarje mes Trump dhe Bolton solli një ndryshim të thellë filozofik që ka karakterizuar presidencën e Trump. Teksa i dha fund gjuhës së fortë të fushatës, Trump erdhi në detyrë thellësisht skeptik ndaj aventurave ushtarake jashtë shtetit dhe premtoi negociata për zgjidhjen e konflikteve të paqëndrueshme. Por Bolton ka qenë një nga skifterët më të fortë të Uashingtonit dhe një avokat i mbrojtjes së interesave të SHBA-ve.

Për admiruesit e tij, Bolton ishte një politikan i linjës së fortë duke u dhënë një përgjigje të ashpër atyre që kishin frikën e një diplomacie naive me një president pa përvojë. Por gjithsesi Trump ankohej prej kohësh në ambiente private se Bolton ishte shumë i zellshëm të fuste Shtetet e Bashkuara në një luftë tjetër. Në raste të tjera ankohej se ishte shumë i ngathët.

CNN shkruan se “shkarkimi i Boltonit është thjesht shembulli i fundit i natyrës krejtësisht dhe plotësisht të paqartë të presidencës së Trump. Ai nuk ka një strategji. Nuk ka asnjë plan. Ka vetëm Donald Trump, duke prodhuar një “reality show” që ai fillon çdo mëngjes i vetëm”.

Kjo lëvizje e fundit është provë se si Trump i bën gjërat dhe sipas CNN, Bolton nuk kishte asnjë synim për të nisur një luftë të re. Ai kishte qenë kundër edhe i ndërhyrjes në Kosovë, apo në Irak, njëlloj si Trump i cili në të kaluarën e kishte mbështetur. Përpara se Bolton të emërohej në krye të Sigurisë Kombëtare i premtoi Trump se nuk do të kishte një luftë të re.

Në analizën e tij, Chris Cillizza thotë se kushdo që zgjidhet si pasardhës i Bolton nuk do të ketë shumë të përbashkëta me këshilltarët e mëparshëm të sigurisë kombëtare.

“Sepse – sipas tij – Trump nuk ka një plan madhështor. Nuk ka një yll polar, nuk ka një dritë udhëzuese, asgjë. Ka vetëm Trump dhe tekat e tij. I cili për dreq ka mënyrën e tij për të drejtuar qeverinë”. ©përgatiti LAPSI.al

loading…