Pse humbi LDK në Llap, flet nënkryetari i Gjilanit

Fiks pas 20 vjetësh, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka humbur bastionin e saj në Llap, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

LDK pësoi fiasko atje, pasi Shpejtim Bulliqi, dikur veprimtar e deputet i LDK’së, e mposhti ish-partinë e tij, nën siglën e Vetëvendosjes.

Mediafokus.info u ka dërguar pyetje disa eksponentëve të kryesisë qendrore të kësaj partie, por që të gjithë kanë heshtur. Kanë hezituar të flasin.

Pak fjalë i foli sot një tjetër eksponent i kësaj partie, anëtari i kryesisë së Degës së LDK’së në Gjilan, njëherësh nënkryetar i kësaj Komune, Arbër Ismajli.

I pyetur nga gazetarët se pse humbi LDK në Llap, Ismajli ka qenë i shkurtër.

“Sa i përket rezultatit të Podujëvës, unë nuk dua ta komentoj verdiktin qytetar që ka vendosur ta bëj ndryshimin atje. Ne do të vazhdojmë të punojmë për LDK’në dhe do të vazhdojmë ta korrigjojmë çdo gabim eventual. Unë mendoj që LDK është e madhe dhe nuk përfundon historia e partisë as me Podujevën dhe as me asnjë rezultat kudo”, ka deklaruar Ismajli, transmeton Mediafokus.info.

Këto komente, numri dy i Gjilanit i bëri në shënimin e ditëlindjes së Ibrahim Rugovës, ngjarje kjo e cila është organizuar nga Dega e LDK’së atje.

E komente për fiaskon zgjedhore të LDK’së në Llap bëri sot edhe shefi i Arbër Ismajlit, kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i kësaj partie në nivel qendror, Lutfi Haziri, i cili tha se “gara në Podujevë nuk duhet të shihet as si fitore, e as si humbje e dekadës”.

Ndryshe, sipas analistëve të vendit, humbja e Podujevës është goditje e madhe për Agim Veliun dhe votë ndëshkuese për të, pasi ky i fundit para disa muajve dha dorëheqje nga pozita e kryetarit për një pozitë ministrore.