Ministri i Financave në Qeverinë e Shqipërisë, Arben Ahmetaj, doli kundër taksës 100 për qind ndal mallrave serbe të vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Ky kundërshtim u prit ashpër në Kosovë, pasi që në vend të mbështetet Kosova, ministri i Edi Ramës e kundërshton këtë masë.

Mirëpo, duket se Ahmetaj e pati një “arsye” të fortë për këtë.

Ai më 19 nëntor takoi homologun e tij serb, Sinisha Mali.

Ajo që bie në sy është vlerësimi që Ahmetaj i bën këtij takimi që ishte mbajtur në Beograd.
“Një takim shumë miqësor sot me Ministrin e Financave të Republikës së Serbisë Sinisa Mali. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe reduktimi i barrierave për lehtësimin e tregtisë është një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik rajonal. Shqipëria dhe Serbia mund të japin shëmbullin e mirë të bashkëpunimit ekonomik e politik, që do të avancohet me të gjithë vendet e rajonit”, shkruante Ahmetaj, raporton Ballkani.info.

Megjithatë pas kritikave të shumta dhe komenteve negative që mori në postimin në Facebook, Ahmetaj e fshiu atë.

Mirëpo shefi i Ahmetajt, kryeministri Edi Rama ende nuk ka dalë me një qëndrim. Nga ai pritej t’i jepej mbështetje Kosovës për taksën dhe të kërkonte që të rritej bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edi Rama vazhdon të jetë mik i mirë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më të cilin disa herë janë shfaqur si “liderë” të rinj të Ballkanit Perëndimor.

Sido që të jetë, Rama do të vije në Prishtinë të hënën, ku do të mbahet mbledhja e dy qeverive në Pejë. /Ballkani.info/