Pse duhet të na qeverisin gratë?

Lis Bukuroca

Në Gjermani në vitin 2015 janë dënuar për vepra penale nga gjykata 80.2 për qind burra dhe 19.8 për qind gra.

Pse mund të jetë ky dallim kaq i madh?

Qyshkur jemi ndarë nga majmuni para 5-7 milionë vjetëve, burri ka vjedhur vazhdimisht apo ka marrë pa paguar, sepse gjithçka që kishte në Tokë nuk i takonte askujt. Gjersa burri merrte apo vriste, gruaja priste në një kasolle. Domethënë, ajo kishte më pak mundësi gjatë evolucionit të stërvitej me krimin.

Shumë burra nuk e kanë kuptuar ndryshimin e epokave dhe prandaj edhe vjedhin, rrahin e vrasin. Më herët, ato akte mund të ishin të domosdoshme për mbijetesë. Ndërkohë kemi arritur të zbusim shumë kafshë dhe t’i bëjmë shtëpiake, pra t’i qytetërojmë, por jo krejt burrat.

Statistika e Shqipërisë duket ndryshe. Ja raporti vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit: Nga të dhënat statistikore rezulton se raporti i të pandehurve meshkuj-femra në vitin 2014 ka qenë 94,44 për qind meshkuj dhe 5,56 për qind femra. Në vitin 2016, raporti i të pandehurve sipas gjinisë është 93,68 për qind meshkuj dhe 6,32 për qind femra dhe, në vitin 2017, raporti i të pandehurve sipas gjinisë është 93,49 për qind meshkuj dhe 6,51 për qind femra.

Burrat e pandehur, diku 94 për qind, gratë diku gjashtë për qind. Nëse përjashtojmë burrat nga politika dhe i bëjmë kryesisht turpëroje të grave në politikë, gatojca, kujdestarë për mirëmbajtjen e shtëpisë; pastrimin, larjen, hekurosjen… atëherë mundësia për ndërtimin e shteti ligjor do të ishte jashtëzakonisht e madhe: korrupsioni do të binte ndjeshëm, gjykatat e pavarura do të funksionin si duhet dhe lumturia e përgjithshme do të rritej.

Pse mund të ndodhë kjo?

Kjo mund të ndodhë, sepse gratë kujdesen më shumë për imazhin e tyre, për integritetin, për dinjitetin dhe nderin, kurse burrat kur është në pyetje pasurimi, ata nuk zgjedhin rrugë. Ata bëjnë dy përpjekje të mëdha: e para të kenë sukses gjatë kryerjes së veprës penale, e dyta të mos merret vesh jashtë. Gratë përjetojnë burgosjen si pasojë të tmerrshme, meshkujt e përkthejnë si vendqëndrim për burra. Kështu arsyetojnë edhe vrasjet, rrahjet, vjedhjet dhe korrupsionin. Burrat edhe krekosen me burgun, gratë turpërohen.

Para këtyre numrave, rinisë shqiptare nuk i mbetet tjetër pos të protestojë për largimin e burrave nga skena politike dhe zëvendësimin e tyre me gra. Për të kuptuar shpirtmirësinë e grave duhet të hedhim një vështrim prapa dhe të kundrojmë prindërit tanë.

Cili ishte më i drejtë, nëna apo babai?!

Nëse nënat tona ishin më të drejta se etërit, atëherë nuk kemi asnjë motiv të votojmë burra në politikë. Nga viti 1912 e këtej, burrat sjellin vazhdimisht fakte se nuk dinë të ndërtojnë shtet të së drejtës dhe nuk do ta bëjnë as këtë shekull. Me gratë në krye, brenda dhjetë viteve do të kemi shtet modern dhe përparimtar. Mos voto burra, së paku jo ata që shtypin në shtëpi, sepse ata që kanë aftësi për të diskriminuar gratë dhe bijat e veta, ata janë të stërvitur në familje për të rrënuar shtetin e së drejtës.

Ja disa burra: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Sali Berisha, Alfred Mosiu, Faton Nano, Bujar Nishani, Ilir Meta, Edi Rama, Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj…

Sa prej tyre meritojnë mirënjohje për përkushtimin e tyre ndaj shtetit të së drejtës dhe lumturisë së popullit? Sa prej tyre nuk janë pasuruar dhe sa prej tyre nuk konsiderojnë veten më të mirë të përjetshëm?

Nëse janë pakica, atëherë duhet të kuptojmë një herë e përgjithmonë se shumica e politikanëve shqiptarë jetojnë akoma në epokën e para homo sapiensit. Ata pasurinë e popullit e përkapin si shimpanzeja bananet në xhungël.

Prandaj, mos protesto për të zëvendësuar një hajn me një tjetër, por një hajn me një grua! Këtë ta rekomandojnë faktet nga statistika!

Pse duhet të na qeverisë gratë?

Sepse burrat na manipulojnë dhe sundojnë. Sepse shumica e burrave në skenën politike shqiptare meritojnë burgun. Sepse gjersa gratë duan të bëhen protagoniste të jetës, burrat përpiqen të bëhen bajraktarë primitivë! Sepse bajraktarizmi është mendjemadhësi, protagonizmi i grave përkushtim! Sepse bajraktarizmi i burrave është ashpërsi, komandim dhe dominimin, kurse protagonizmi i grave, shëmbëlltyrë! Sepse popujt që kanë shpirt të shtypin gratë dhe bijat e veta nuk kanë aftësi për të ndërtuar shtet të së drejtës!