Pse mungoi Kurti kur u votua rezoluta kundër Thaçit?

Dje dhe sot, sidomos nga deputetët e PSD-së, është kritikuar në masë të madhe mospjesëmarrja e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtin në seancën e djeshme të Kuvendit ku u votua për rezolutën me të cilën do t’ia pamundësonin presidentit Thaçi bisedimet me Serbinë për korrigjimin e territorit.

Mbrëmë ishte deputeti i PSD-së, ish miku i Kurtit, Dardan Molliqaj që tha se është e pakuptimtë mungesa e Kurtit në seancën kur votohej kundër Thaçit.

“Nga 12 deputetë që ka PSD-ja, të gjithë ishin prezent dhe votuan për rezolutën që ia ndalon Thaçit bisedimet. Ndërkohë, njëjtë nuk vepruan dy partitë tjera opozitare. Disa deputetë (përfshirë këtu edhe një kryetar partie) nga VV dhe LDK nuk ishin në sallë sepse kishin ”obligime private”. Tërë ditën flasin se si duhet ta ndalim Thaçin, e në anën tjetër prioritet iu japin ”obligimeve private””, pati thënë Molliqaj, shkruan Ballkani.info.

Në të njëjtën vije me Molliqajn, sot ishte edhe kolegu i tij nga PSD-ja, Frashër Krasniqi.

Bile Krasniqi edhe ka ironizuar me Kurtin. “Nëse, për arsye familjare, mungon në një seancë me të cilën do të ndalej Thaçi, a nuk nënkupton kjo që interesat personale/familjare po i mbivendosen atyre shtetërore?! Veç po e paramendoj çka kishte bë VV-ja duke sharë, nëse dikush nga ne do të mungonte në seancën e djeshme. Ama Albini është ndryshe: ai bën me i vendosë çështjet personale e familjare para atyre shtetërore ?”.

Ballkani.info mëson se Kurti ndodhet në Norvegji, atje ku jeton bashkëshortja dhe vajza e tij.

Ballkani.info ka tentuar të flasë edhe me zëdhënësen e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, por ajo nuk është përgjigjur as në telefon e as në mesazhin e dërguar. /Ballkani.info/