Derck Chollet

Pse amerikanët po e takojnë më shpesh Osmanin sesa Kurtin?

“Bisedë e mirë me presidenten Vjosa Osmani për zotimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës”. Kështu e ka cilësuar takimin me të, këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derck Chollet. Takimet më të shpeshta me Osmanin, sidomos pas zhvillimeve në veri, vëzhguesit e procesit të po i shohin si tregues se Presidentja është palë më e pranueshme për amerikanët në krahasim me kryeministrin.

Nëpërmjet Presidentes, amerikanët e kanë porositur Kosovën që të angazhohet urgjentisht në normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Një bisedë e mirë me presidenten Vjosa Osmani për zotimin tonë të përbashkët për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, për nevojën për të shtensionuar situatën dhe për angazhimin urgjent në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë që lehtësohet nga BE-ja – që është kyç për stabilitetin rajonal dhe integrimin drejt BE-së”, ka thënë Dereck Chollet, këshilltar në DASH.

Për takimin me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit ka shkruar edhe Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Ajo tregon se në takim me Chollet ka theksuar se qasja parimore dhe e barabartë në dialog, dhe roli prijës i SHBA-së është çelësi i suksesit.

Takime të tilla me zyrtarë të nivelit të lartë amerikan po vlerësohen si përpjekje të Osmanit që ta etablojë veten si një vendimmarrëse në Kosovë, në raport me kryeministrin Albin Kurti por edhe të tregojë partneritet me SHBA-në.

“Osmani po flet dhe po zhvillon takim gjë që tregon se është pakëz më e pranueshme për palën amerikane, në takimet së pasi sipas të gjitha gjasave pas dyerve të mbyllura…Presidentja e Kosovës e sheh këtë si një mundësi të artë që të distancohet të themi ashtu nga politikat e Kurtit në një format që është shumë diplomatik. Të luaj atë lojën e policit të mirë e policit të keq. Në këtë rast Kurti merr përgjegjësinë për pjesën më ekstreme të interpretimit të dialogut”, ka thënë Abit Hoxha, profesor.

Megjithatë për rrjedhën politike në Kosovë, sipas profesorit Hoxha, letrat në dorë i ka Kurti. E, në raport me Kryeministrin, sipas tij amerikanët kanë qasje krejt ndryshe.

“Mendoj se ka një distancim, mendoj se ka një ftohje të raporteve vetë fakti që deklarime të tilla bëhen në media prej të dyja palëve tregon se është tejkaluar ky dialogu mes tyre në aspektin zyrtar, dhe ka dalur tani më në një qasje në media”, ka thënë Hoxha.

Për shkak të procesit të dialogut e sidomos zhvillimeve në veri ka pasur disa herë përplasje nga distancë ndërmjet Kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë amerikanë.

Kurti, madje e kishte cilësuar naivitet dhe të padobishëm reagimin e sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken për situatën në veri./RTV Dukagjini/