9 Maji

Pse 9 Maji festohet si Dita e Evropës?

Sot më 9 Maj festohet Dita e Evropës në të gjithë Bashkimin Evropian. Edhe në Kosovë, kjo ditë është festë zyrtare.

9 Maji për Bashkimin Evropian është domethënës për shkak të fjalimit të Robert Schumanit në këtë datë të vitit 1950. Më pas ministri i Jashtëm francez shpalli themelimin e Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Qymyrit (ECSC), që i parapriu Bashkimit Evropian.

E ashtuquajtura “Deklarata e Schumanit” konsiderohet si fillimi i BE-së, organizata më e suksesshme mbikombëtare në botë. Në atë kohë, vetëm Gjermania Perëndimore dhe Franca morën pjesë në Komunitetin e Çelikut dhe Qymyrit, dhe 74 vjet më vonë, BE-ja ka 27 anëtarë, me disa vende të tjera, përfshirë Kosovën, që synojnë të anëtarësohen.

Pas Komunitetit Evropian të Çelikut dhe Qymyrit, në vitin 1958 u krijua Komuniteti Ekonomik Evropian. Në vitin 1967 u riemërua Komuniteti Evropian dhe Bashkimi Evropian i sotëm u krijua me Traktatin e Maastrichtit, i cili u nënshkrua më 1992 dhe hyri në fuqi më 1993.

Dita e Evropës shënohet me anë të aktiviteteve në të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së, porse pushohet në vetëm një prej tyre. Ditë feste më 9 Maj është veç në Luksemburg, vend ky që Ditën e Evropës e ka përfshirë në kalendarin e festave zyrtare para katër vjetësh.

Për Ditën e Evropës pushohet edhe në Kosovë, e cila nuk është ende pjesë e BE-së.