Draft-Rezoluta

PSD’ja ende në heshtje rreth rezolutës së propozuar nga Kadri Veseli

Partia e Shpend Ahmetit ende nuk e ka thënë asnjë fjalë rreth propozimit të Draft-Rezolutës nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Kjo parti ka thënë se të hënën do të mbajë mbledhje të kryesisë për të dalë me një qëndrim rreth. Ndërsa LDK e Vetëvendosje menjëherë pas propozimit të kësaj rezolute, e kanë kundërshtuar.

Partia Socialdemokrate ende nuk e ka një qëndrim për këtë rezolutë, mirëpo pritet që të hënën kjo parti të mbajë mbledhje të kryesisë për të diskutuar rreth kësaj çështjeje, kështu ka thënë për Express Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi.

Ndërsa menjëherë pas propozimit të kësaj rezolute, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, të shtunën ka thënë për Express nuk e shohin ndonjë arsye për ta përkrahur një rezolutë e cila është pothuajse e njëjtë me atë të mëhershmen e Qeverisë.

“Rreth kësaj draft-rezulute që po qarkullon, forumet e partisë dhe kryesia do të analizojnë, por nga ajo që e kemi parë nuk ka ndonjë ndryshim nga ajo e mëhershme, është e njëjta gjë, kështu që nuk e besoj dhe nuk e shoh asnjë arsye që ta përkrahim”, ka thënë Beqiri.

Veseli e ka shtruar nevojën për arritjen e një konsensusi në mes të partive politike parlamentare për dialogun e Kosovës me Serbinë.  Në mbledhjen e thirrur nga Veseli, të pranishëm ishin Kryeministri Ramush Haradinaj, Zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi.

Rezoluta e propozuar nga Veseli, e cila ka marrë bekimin edhe nga anëtarët e tjerë të Qeverisë do të diskutohet në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës në muajin dhjetor./GazetaExpress