PSD

PSD thotë se s’bënë koalicione parazgjedhore: Jemi opozita e vetme në Kosovë

Dy parti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA kanë zyrtarizuar kohë më parë koalicion parazgjedhor. Një ftesë për t’u bashkuar në këtë koalicion i ka shkuar edhe Partisë Social Demokrate (PSD), por që kryesuesja e Këshillit Drejtues, Donjeta Demolli po thotë se e kanë refuzuar.

Demolli ka deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme PSD-ja do të garojë e vetme.

“Ne e kemi marr ftesën prej AAK-së dhe përgjigja jonë ka qenë negative, për arsye se ne besojmë që si parti e kemi të nevojshme që të komunikojmë direkt me qytetarin dhe të shkojmë të vetëm në zgjedhje, duke përfaqësuar bindjet tona dhe rrugëtimin tonë pa një koalicion në zgjedhje të ardhshme. Ne kemi vendosur që nëse nuk ndryshon diçka në të ardhmen, do të shkojmë vetëm në zgjedhje” është shprehur ajo në emisionin “Këndi i Debatit në Tëvë 1.

Tutje, duke e mbështetur qëndrimin e saj në një hulumtim, ajo ka thënë se 33 për qind e qytetarëve të Kosovës e vlerësojnë pozitivisht angazhimin e kësaj partie, ndërsa 12 për qind mendojnë se opozitarizmi i PSD-së i mungon aktualisht Kuvendit.

Sipas Demollit, në terren vërehet një simpati e qytetarëve ndaj tyre, sepse ata kanë filluar ta kenë në konsideratë aktivizmin e PSD-së.

“Jo shumë kohë më parë, gjatë këtij muaji u prezantua një hulumtim i opinionit publik, prej një prej kompanive kredibile në Kosovë për realizimin e hulumtimeve të opinionin, dhe në atë hulumtim del që 33 për qind e qytetarëve të Kosovës e vlerësojnë pozitiv angazhimin tonë, dhe rreth 12 për qind mendojnë që Parlamentit i mungon opozitarizmi i PSD-së. Ne besojmë që ky është rezultat i prezencës sonë për çështjet të cilat i kanë brengosur qytetarët dhe për problemet që i ka sjellë kjo qeveri. Besoj që kemi filluar me një simpati drejt neve. Qytetari ka filluar me pas një konsideratë ndaj aktivizmit tonë”, ka shtuar ajo.

Në anën tjetër, Nol Nushi, duke folur për punën dhe aktivitet që ka bërë kjo parti pesë vjet nga themelimi i saj, ka thënë se kjo PSD sot është partia e vetme opozitare.

“Nga 2019 na po flasim se qysh PSD-ja është opozita e vetme në Kosovë. Puna jonë, angazhimi, argumentimi, insistimi jonë, kundërshtimi i fuqishëm të gabimeve të kësaj qeverie, janë karakteristikat tona që ish dashtë me karakterizuar secilin aktivistë, politikan që mëton me rrëzua këtë pushtet autoritar”, u shpreh Nushi.

VIDEO BONUS: Matoshi i ndërhyn në fjalim, “shpërthen” Selmanaj: Oj zojë, jam i bindur që s’e di ku je