PSD: Ripërcaktimi i kufijve do ta zgjidhte problemin mes Kosovës dhe Serbisë

Për anëtarin e kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, shumë më mirë do të ishte që Kosova ta shtynte përpara projektin e ripërcaktimit të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ta zgjidhte njëherë e mirë problemin me Serbinë.

Për Krasniqin, Qeveria Kurti ka mashtruar kur ka thënë se nuk e ka prioritet dialogun me Serbinë.

“Tash kur i është bërë prioritet, sepse tash veç me këtë punë po merret, prapë është duke e bërë gabim. Sepse, është duke na e sjell Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili e defunksionalizon Kosovën dhe na e lë problemin me Serbinë edhe dhjetë vite të tjera. Është duke i pranuar të gjitha marrëveshjet që janë bërë gjatë këtyre 10 viteve, marrëveshje që nuk i zgjidhin problemet me Serbinë. Ky (Kurti) po e sjell Asociacionin dhe po na i sjell problemet. Shumë më mirë do të ishte që Kosova ta shtynte përpara projektin për ripërcaktim të kufijve, i cili e zgjidh njëherë e mirë problemin me Serbinë, i cili siguron njohje të subjektivitetit dhe i hap rrugë të mëtutjeshme bashkëpunimin rajonal. Shumë më mirë do të ishte kjo”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Demokracia.com

“E vetmja zgjidhje për tejkalimin e këtij problemi dhe të mund të zhvillohemi si rajon është ripërcaktimi i kufijve”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka ironizuar edhe me premtimet e Albin Kurtit që i bënte kur ishte në opozitë, për xhipat e zinj dhe truprojat.

Ai ka thënë se nuk ka fjalë që se ka “hëngër” Kurti kur është sot në pushtet.

“Nuk ka fjalë që e ka thënë më herët Albin Kurti e që sot nuk i ka hangër, kështu që unë nuk kam asnjë dyshim që Vetëvendosje nuk do ta sjell Asociacionin, ta bjen edhe çuditësh bile. Ashtu siç i ka pru truprojat e xhipat e zinj. që Albin Kurti thoshte që unë nuk do të vozitem me xhipa të zinj. Sot e ki me truproja e me xhipa të zinj. Ashtu siç ka thënë Vetëvendosje se do ta shlirojmë shtetin e sot është duke e kap vetë shtetit, ashtu do ta bjen edhe Asociacionin. Ashtu siç ka thënë se nuk shkon në negociata me Serbinë fare pa kërkuar falje e tash po shkon pa kërkuar falje Serbia, po negocion, ashtu do ta bie edhe Asociacionin”, ka thënë ai.