Partia Socialdemokrate ka mbajtur të enjten një aksion simbolik para objektit të Kuvendit të Kosovës.

Në një parullë të madhe, shkruan:

“NËN HETIM. Secili punëtor publik dhe familja e tij janë subjekte të hetimit nga Byroja e Partisë”.

Pas aksionit, para mediave u deklarua edhe kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj. Sipas tij, Qeveria po dëshiron të shohë secilin si të dyshuar dhe të kontrollojë agjencionet e pavarura.

“Sot në Kuvend është në rend dite ligjii cili do ta foromojë Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, zakonisht, pushtetet demokratike kujdesen për mirëqënien e qytetarëve dhe për pavarësinë e institucioneve. Qeveria e Kosovës ka pasur dy synime krejt të tjera, e para me e pa secilin si të dyshuar dhe e dyta, secilin agjencion apo organizim të pavarur me ia ngushtu ose me kontrollu kompetencat e tij.” – tha ai.

Sipas Molliqajt, Byroja nuk është shtetërore, por e partisë, në këtë rast, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kjo byro nuk është shtetërore, është politike e shantazhit ndaj qytetarëve. Kur ke synim drejtësinë, ajo është më e qartë dhe më e ngushtë. Me një ligj, këta duan që secilin polic, ushtarë, punonjës teknik, mësimdhënës, mjek, secili qytetarë që merr pagë nga shteti ose ka marrë nga viti 2008, është i dyshuar për republikën e Kosovës, përkatësisht për Qeverinë, në fakt për byronë e partisë”.