PSD: Marrëveshja në Washington është një dështim që s’duhet t’i gëzohemi

Partia Socialdemokrate ka thënë se marrëveshja në Washington është një dështim.

Sipas PSD’së, bisedimet në Washington vërtetuan se Kosova është larg shkëputjes nga Serbia.

“Bisedimet e zhvilluara në Washington gjatë 3 dhe 4 shtatorit vërtetuan indikacionet për të cilat kishim reaguar: jemi larg shkëputjes nga Serbia. Çfarëdo marrëveshje e arritur, për t’i kontribuar paqes në rajon e bashkëpunimit midis popujve duhet ta ketë si premisë shkëputjen nga e kaluara e dhunës dhe dominimit”, thuhet në reagim.

PSD tutje ka thënë se dialogu me Serbinë është luftë e brendshme politike dhe Kurti e Haradinaj prijnë në minimin e procesit.

“Gjithsesi, kjo ngjarje shënon përmbylljen e një rast të shpërdoruar nga papërgjegjësia e klasës politike. Ka 3 vite që kur dialogu me Serbinë është luftë e brendshme politike, thua se çfarë më së shumti i duhet Kosovës është vazhdimi i status-quos. Së këndejmi, Kurti e Haradinaj prijnë në minimin e procesit”, thuhet në reagim.